Site icon Telegrafi

Reagon Ministria e Integrimeve lidhur me hapjen e konkursit për shërbyes civilë

Ministria e Integrimit Evropian, ka demantuar lajmin e publikuar më datë 8.8.2019, në disa media me titull “Shoqëria civile: Vendimet e kundërligjshme të ministres në dorëheqje Dhurata Hoxha, rrezikojnë të ardhmen e të rinjve”.

Në reagimin e MIE thuhet se kjo ministri realizon konkurse për punësim në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi që rregullon procedurat e punësimit të shërbyesve civilë në bazë të planit të personelit të miratuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Ministria e Financave (MF).

“Në këtë drejtim, është e nevojshme të qartësohet se hapja e konkursit për shërbyes civil nuk është në kuadër të kompetencave të Ministres. Më tej, dëshirojmë të qartësojmë për publikun se në kuadër të marrëveshjes me Bashkimin Evropian rreth Skemës së Profesionistëve të Rinj -Young Cell Scheme (YCS) për këtë vit, dhe në bazë të planit të personelit të miratuar nga MAP dhe MF, MIE ka rezervuar 7 pozita të lira për të diplomuarit e kësaj skeme ashtu siç ka bërë në vazhdimësi. I njëjti përkushtim i Ministrisë së Integrimit Evropian i është transmetuar rregullisht edhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Ironizon O'Connell: Stafi i MIT-së duhet përgëzuar për guximin që kanë për t'i kundërshtuar ligjet ndërkombëtare

Sipas njoftimit për media si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Ministres Hoxha, për vitin 2018, akomodimi i të diplomuarve nga YCS është arritur në nivelin 100% në përputhje me marrëveshjen me BE-në. Po ashtu në reagim kjo ministri thekson se edhe këtë vit, synon të arrijë cakun e njëjtë gjë që nënkupton që të gjithë të diplomuarit nga YCS do të mund të punësohen brenda institucioneve publike pas kthimit të tyre në Kosovë.

“Rikujtojmë që qëllimi i programit YCS është ngritja e kapaciteteve për shërbimin civil në institucionet publike. Në këtë drejtim, MIE iu është drejtuar të gjitha institucioneve publike përmes një shkrese ku ka kërkuar t’u jepet prioritet punësimit të sapo diplomuarve nga programi YCS, në kuadër të konkursit për shërbyes civil. Ministrja Hoxha, gjegjësisht Ministria e Integrimit Evropian, mbetet e përkushtuar në realizimin e marrëveshjes për programin YCS si një prej programeve më të suksesshme në reformimin e administratës publike dhe ngritjes së kapaciteteve të shërbimit civil”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Shoqëria civile: Vendimet e kundërligjshme të ministres Hoxha, rrezikojnë të ardhmen e të rinjve kosovar

Ndryshe disa organizata të shoqërisë civile, mbështesin fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojnë nga, siç shprehen ata, ministrja në dorëheqje Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së./Telegrafi/

Exit mobile version