Site icon Telegrafi

Reagon Kamberi pasi disa media në Serbi nuk transmetuan fjalimin e Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit

Disa media në Serbi kanë ndërprerë transmetimin e seancë së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, momentin që ka nisur fjalimin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lidhur me këtë veprim të mediave serbe ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, transmeton Telegrafi.

Ai në një reagim në platformën “X”, shkruan se janë katër media që kanë ndërprerë transmetimin, ndërsa mediat në Kosovë kanë transmetuar gjithë fjalimin e presidentit serb.

“Ndërsa Albin Kurti mbajti fjalimin e tij, RTS dhe tre stacione të tjera televizive serbe ndërprenë transmetimin e seancës së Këshillit të Sigurimit.Ndërkohë, RTK e transmetoi të gjithë fjalimin e Vuçiqit! Tani, në cilin vend ka më shumë tolerancë”, thotë Kamberi.

Lexo po ashtu Në Serbi u ndal transmetimi direkt kur Kurti nisi fjalimin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Për ndalimin e transmetimit të fjalimit të Kurtit, ka reaguar edhe Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, Bisnik Bislimi.

“Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën e tij kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq, që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, thotë Kadriu.

Ndryshe, të enjten Kurti ka hedhur poshtë çdo pretendim që sugjeron se Kosova është përfshirë në një politikë të spastrimit etnik ndaj pakicës serbe./Telegrafi/

Exit mobile version