Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka thënë se është duke monituruar nga afër situatën e krijuar në komunat veriore.
KFOR-i në reagimin e bërë për media konsideron se hyrja e kryetarëve të rinj në komuna ka qenë e dhunshme, transmeton Telegrafi.
“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” , thuhet në reagim.
Tutje, KFOR-i thotë se “dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë”.
“Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, vijon reagimi.
Më tej, në komunikatë thuhet se “Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
KFOR thekson se, dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.
Zhvillimet e fundit në veri kanë nxitur reagime të shumta nga ndërkombëtarët. /Telegrafi/