Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, mbrëmë (e mërkurë) është komentuar shumë për paraqitjen e saj të ekzagjeruar në koncertin e mbajtur në sheshin “Adem Jashari”, në Skënderaj.
Media dhe personalitete të shumta kritikuan këtë zhveshje të saj, e ndërsa vet këngëtarja reagoi përmes një shkrimi në Instagram, duke thënë se nuk e sheh diçka të ekzagjeruar, referuar faktit që edhe Rita Ora kishte një veshje mjaft ekstravagante në koncertin e 10 vjetorit të Pavarësisë, të mbajtur më 17 shkurt 2018.
Ndërkohë, lidhur me këtë temë ka reaguar së fundmi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook edhe i pari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari.
Ai ka shkruar se ndoshta këngëtarja Morina ka tentuar ta kopjojë Ritën, por që gjithsesi paraqitja skenike e gjithë-secilit artist është përgjegjësi e tij.
Ky është statusi i tij i plotë:
“Për herë të parë po ndodhë manifestimi “60 ditë – 60 aktivitete”, për diasporën, dhe disa prej ngjarjeve të organizuara deri më tani kanë qenë: sofra tradicionale (dy të tilla; në Skenderaj dhe Runik), panairi i veshjeve tradicionale, mini-kuizi, vizitë monumenteve tradicionale dhe të tjera aktivitete që do të zhvillohen ditë në vazhdim.
Ideja dhe i gjithë organizimi i aktiviteteve është i Qendrës Rinore Publike, me mbështetje të biznesve lokale, dhe i përkrahur nga unë si kryetar i Komunës.
Sa i përket paraqitjes skenike të Fjolla Morinës, mbrëmë, është përgjegjësi e këngëtarëve dhe më vjen mirë nga ju media që nëpërmjet kësaj këngëtareje (mbase ka dashur ta imitojë Rita Orën, e që këtë mund ta vlerësojë publiku), t’u zgjohet kureshtja dhe të shkruani e të raportoni për aktivitetet që po ndodhin në Skenderaj.
Shpresoj të keni interesim edhe për organizimet tjera në vazhdim.
Sa i takon mbrëmjes së sotme, në Sheshin tonë “Adem Jashari”, do të këndojë Leotrim Gashi.
Se si do të paraqitet ai para publikut, është përgjegjësi e tij.
Faleminderit të gjithëve!” (sic.), ka shkruar Bekim Jashari në Facebook. /Telegrafi/