Site icon Telegrafi

Reagimet nga bota pas sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Gaza

Sulmet vdekjeprurëse izraelite në Gaza kanë nxitur një dënim nga kombet arabe dhe komuniteti ndërkombëtar, të cilët i kërkuan Izraelit të ndalonte armiqësitë dhe të shpëtonte një marrëveshje armëpushimi.

Sulmet ajrore izraelite goditën Gazën, duke vrarë të paktën 326 persona, thanë të martën autoritetet shëndetësore palestineze.

Zhvillimet kërcënojnë “prishjen e plotë” të një armëpushimi dy mujor, pasi Izraeli u zotua të përdorte forcën për të liruar pengjet e saj të mbetura, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Egjipti dënon rifillimin e sulmeve

Ministria e Jashtme egjiptiane dënoi sulmet vdekjeprurëse ajrore të Izraelit gjatë natës në Rripin e Gazës, duke i quajtur ato një “shkelje flagrante” të armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar.

Sulmet përbëjnë një “përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon të sjellë pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit”, thuhet në deklaratën e Egjiptit, i cili ndërmjetësoi armëpushimin e Gazës së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara.

Turqia

Turqia tha se sulmet e Izraelit në Gaza përbënin një “fazë të re në politikën e tij të gjenocidit” kundër palestinezëve dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrë një qëndrim të vendosur për të siguruar që armëpushimi të mbështetet dhe të ofrohet ndihma humanitare.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke shtoi se ishte e papranueshme që Izraeli të shkaktojë një “cikël të ri dhune” në rajon, duke shtuar se “qasja armiqësore” e qeverisë izraelite kërcënon të ardhmen e Lindjes së Mesme.

Shefi i OKB-së ‘i tronditur’ nga sulmet izraelite në Gaza

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres është “i tronditur” nga sulmet e reja ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, tha të martën një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.

“Sekretari i Përgjithshëm është i tronditur nga sulmet ajrore izraelite në Gaza… ai bën thirrje me forcë që të respektohet armëpushimi, të rivendoset ndihma humanitare e papenguar dhe që pengjet e mbetura të lirohen pa kushte”, tha zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez në një konferencë për media.

Një reagim ka ardhur edhe nga Kina, e cila bëri thirrje për hapa për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Gaza. /Telegrafi/

Exit mobile version