Site icon Telegrafi

Rasti “Brezovica”, arrestohen 15 të dyshuar dhe konfiskohen para, vetura, armë e dokumente

Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se pas realizimit të aksionit të së enjtes në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica” dhe bastisjes së një numri të madh të autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit dhe Vitisë janë arrestuar 15 persona të dyshuar.

Në njoftim bëhet e ditur se të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajde”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Detyrim”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Njësinë e  Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Njësinë e Hetimeve të Doganës së Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve- zyrave të ndërmarrjeve,  sot, ka realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin ‘Brezovica’…

Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i  autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit, komunës së Vitisë, ku, me ç’rast janë arrestuar katërmbëdhjetë (15) persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.​ /Telegrafi/

Exit mobile version