Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët pretendojnë se Michael Jackson i ka abuzuar seksualisht kur ishin fëmijë, iu është dhënë një mundësi për rinovimin e padisë.
Siç raporton CNN, Gjykata e Apelit e Qarkut të Kalifornisë ka vendosur që një korporatë që lehtëson punën me të miturit nuk përjashtohet nga detyra për t’i mbrojtur ata fëmijë, thjesht sepse është në pronësi të autorit të abuzimit. Çështjet, të cilat u konsoliduan në gjykatën e apelit, tani do të kthehen në gjykim.
Robson dhe Safechuck ishin paraqitur në dokumentarin e vitit 2019, “Leaving Neverland”. Në këtë dokumentar, secili tregoi në mënyrë jashtëzakonisht të ngjashme se si abuzimi seksual i pretenduar i Jackson u përshkallëzua gradualisht me kalimin e viteve, i shoqëruar nga presioni i tij për të mos zbuluar se çfarë po ndodhte.
Ata i bënë këto akuza kur ishin të mitur, pasi fillimisht kishin punuar me yllin e muzikës pop. Gjegjësisht, në moshën tetëvjeçare, Safechuck ishte shfaqur me këngëtarin në një reklamë të Pepsit (në vitin 1986), ndërsa Robson në moshën pesëvjeçare, pasi fitoi një konkurs kërcimi kur Michael performoi në Brisbane të Australisë.
Kujtojmë se Jackson vdiq në vitin 2009, por paditësit po kërkojnë dëmshpërblim nga dy kompani argëtuese, të cilat kryesisht ishin në pronësi dhe menaxhoheshin ekskluzivisht nga këngëtari legjendar. /Telegrafi/