Site icon Telegrafi

Rashiti: LVV ta dorëzojë sa më shpejt emrin e mandatarit, ndryshe bëhet si PAN-i

Vonesat në formimin e Qeverisë së Kosovës kanë nxitur reagime të shumta dhe takimet pa një marrëveshje finale po vazhdojnë të mbahen kohë pas kohe. Të hënën mbrëma, Lëvizja Vetëvendosje, i ka bërë një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka thënë se gjatë ditëve në vijim do ta shqyrtojë. 

Analisti, Naim Rashiti ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të dorëzojë emrin e mandatarit te presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në të kundërtën me këto vonesa LVV po bëhet si partitë fituese të vitit 2014 dhe 2017.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet urgjentisht te dorëzojë emrin e kandidatit për kryeministër. Si fituese e zgjedhjeve nuk ka alternativë, nuk ka afat të caktuar mes konstituimit të kuvendit dhe dhënies së mandatit për fituesin e zgjedhjeve. Kjo është procedure e pakontestuar. Me vonesat e saj, VV po bëhet njëjtë sikur partitë fituese të vitit 2014 dhe 2017”, shkruan Rashiti.

Rashiti propozoi po ashtu që këto dy parti të heqin dorë nga strukturimi masiv i ministrive, pasi sipas tij, kjo punë e lehtëson arritjen e marrëveshjes dhe parandalon kaosin në institucione.

Ai shpresohet i sigurt se do të jetë e pamundur të ristrukturohet qeveria me 12 ministri.

“Po ashtu VV dhe LDK duhet të heqin dorë nga strukturimi dhe fuzionimi masiv të qeverisë dhe ministrive. Kjo punë ia lehtëson arritjen e marrëveshjes dhe parandalon kaosin ne institucione. Ju siguroj se nuk do te arrijnë ta bëjnë ristrukturimin ne 12 ministri dhe pa ligj”, thotë Rashiti.

Propozimi i tij është që Qeveria Kurti në koalicion me LDK-në të përbëhet nga 15 ose 16 ministri.

“Prandaj, VV dhe LDK nëse duan të formojnë qeveri duhet ta dorëzojnë emrin e mandatarit shpejt, dhe të pajtohen për një qeveri me 15-16 ministri: VV të marrë 6 ministri, LDK të marrë 7 ministri, Serbët – 2 ministri (përndryshe nuk e përkrahin qeverinë) Minoritetet tjera- 1 ministri”, shkruan Rashiti. /Telegrafi/

Exit mobile version