Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, ka thënë se e shoh këtë si proces shumë të vështirë “dhe një nga mundësitë është që të ketë autonomi për veriun e vendit në këmbim për një ulëse në Kombet e Bashkuara”.
Ai ka deklaruar se kjo do të mund ta nxiste pastaj kërkesën e Kosovës që i njëjti status t’i jepet Luginës së Preshevës, si edhe heqjen e të drejtave të zgjeruara të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
“Por nëse do të ketë autonomi për Veriun, atëherë duhet të hiqet e drejta e shumicës së dyfishtë. Madje ka një simpati ndërkombëtare për heqjen e kësaj të drejte për çështjet që nuk janë vitale për serbët në Kosovë”, tha Rashiti, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Aleksandar Vuçiq po mendon që marrëveshjen ta hedhë në referendum dhe nëse kalon, atëherë Rusia do ta ketë të vështirë për ta bllokuar. Nga ana tjetër, Gjermania bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe synohet që edhe implementimi të përmbyllet brenda dy vjetëve të ardhshme”.
Rashiti ka nënvizuar se procesi do të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, ndërsa liderët tjerë partiakë dhe të institucioneve në vend do të jenë pjesë e ekipeve që do t’i bëjnë gati draftet për marrëveshjen finale.
“Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj nuk do të jenë negociatorë. Do të ketë Ekip Negociator, që do t’i formulojë draftet e marrëveshjes”, tha ai.