Sulmuesi anësor i Kosovës, Milot Rashica, ka folur pas ndeshjes me Izraelin, ku tha se merituan më shumë se një pikë.
Kosova barazoi si mysafir i Izraelit me rezultat 1-1, ndërsa shumë lehtë ka mundur të fitojë tre pikët, kur në minutën e fundit Rashica pati një mundësi shumë të mirë shënimi ku ai gjuajti lart mbi portë.
Ai ka thënë se donte shumë të shënonte dhe të merrnin tre pikët.
“Në fund po të shënoja gol do ta mbyllnim këtë histori në mënyrën më të mirë të mundshme. Kisha dëshirë të shënoja shumë e të ktheheshim me tri pikë”.
“Ashtu siç shkoi loja, mendoj se merituam më shumë. Ka hapësira për përmirësim pas çdo ndeshjeje. Në pjesën e parë i lejuam kundërshtarit të krijonte disa raste. Ata patën raste shumë të mira që do të mund të na penalizonin”.
“Në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë. Patëm rastet tona, mund ta fitonim lojën. Për momentin jam duke kaluar periudhë të mirë edhe me klubin dhe po mundohem të jap maksimumin me Kosovën. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, ka thënë Rashica.
Kosova pret Andorrën në Prishtinë në javën e ardhshme, ku kërkon tri pikët. /Telegrafi/