Ekipet policore po sigurojnë zonën e fshatit Bujkovci, ku dëshmitarët okularë thonë se kanë parë një aeroplan të bardhë duke lëvizur shumë poshtë mbi fusha dhe supozojnë se avioni ishte rrëzuar.
Gazetarëve që ndodhen atje nuk u është lejuar hyrja në atë vend, ndërsa policia është duke kryer inspektimin.
Sipas TV Telma, bëhet fjalë për një avion që nuk është i regjistruar në Agjencinë për Aviacion Civil dhe Ajror, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas informacioneve fillestare, banorët pretenduan se bëhej fjalë për një dron.
Në momentin e raportimit të incidentit, nuk ka pasur të raportuar avion në ajër në të gjithë Maqedoninë. Gjithashtu nuk kishte informacione për dronë të raportuar.
Të gjithë avionët e linjave ajrore të rregullta u ulën në aeroportin e Shkupit pa asnjë problem, thonë nga AAC. Për shkak të rinovimit të pistës, shumica e uljeve bëhen në orët e vona të pasdites dhe natës.
Lajmin për gjoja rrëzimin e aeroplanit e kanë raportuar banorët vendas të fshatit Bujkovc, ndërsa raportin e kanë dërguar në MPB, ndërsa denoncime të ngjashme janë bërë edhe në Agjencinë e Aviacionit Civil.
Burime nga Ministria e Brendshme konfirmuan se pas denoncimit përfaqësuesit e tyre kanë vepruar dhe kanë kontrolluar zonën por nuk kanë gjetur asgjë.
Për shkak të reshjeve të shiut, reve dhe natës nuk mund të kontrollohet terreni me helikopterë.
Pas një kontrolli dy orësh, policia u tërhoq nga vendi i bllokimit. Deri më tani nuk ka njoftim zyrtar se çfarë është zbuluar dhe për çfarë bëhet fjalë./Telegrafi/