Raportimi për procesin zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe roli i mediave nuk fillon vetëm me hapjen e fushatës zgjedhore e aq më pak në ditën e votimit. Në fakt, ky proces nis shumë më herët, që nga periudha e njohur si ‘parafushata’ zgjedhore.
Është hera e parë që Kosova po shkon në një proces të rregullt zgjedhor me një mandat të plotë qeverisës, andaj zgjedhjet parlamentare janë caktuar shumë kohë më parë për datën 9 shkurt 2025. Me këtë ka filluar ‘parafushata’ zgjedhore dhe mediat janë duke mbuluar aktivitetet e partive politike në Kosovë e diasporë. Por, cilat duhet të jenë përgjegjësitë, obligimet dhe raportimi profesional?
Mediat kanë një rol të pashmangshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të informuar qytetarët në kohë reale. Gjatë parafushatës, por edhe gjatë fushatës, ndodh që individë të caktuar, grupe të ndryshme interesi, kandidatët dhe partitë politike të përdorin metoda të ndryshme për të fituar vota dhe për të forcuar praninë e tyre në terren. Përfitime të tilla zakonisht shfrytëzohen nga partitë në pushtet për të bërë fushatë, përfshirë përdorimin e mjeteve buxhetore, organizimin e aktiviteteve, përdorimin e mjeteve të transportit, automjeteve etj.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullojnë shumë informacione të ndryshme në mediat online, radio, televizione dhe rrjete sociale, ku shpesh qytetari mund të bjerë pre e lajmeve të paverifikuara. Prandaj, kërkohet që mediat kredibile dhe profesionale të informojnë në kohë reale dhe të ofrojnë një hapësirë me qartësi, raportime të përgjegjshme dhe transparencë.
Roli i mediave në parafushatë është gjithashtu të fokusohet në edukimin e qytetarëve, ku lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi informohen për procesin zgjedhor, afatet zgjedhore, si dhe të drejtat dhe obligimet e tyre në ditën e zgjedhjeve.
Gjithashtu, mediat duhet të jenë “rojtarë” të partive politike për përdorimin e mjeteve financiare gjatë parafushatës zgjedhore dhe të kërkojnë transparencë në shpenzimin e mjeteve buxhetore.
Pra, mediat duhet të jenë syri kritik i shoqërisë, sepse parregullsitë nuk nisin ditën e votimit; ato shpesh rrënjosen më herët. Nga ana tjetër, parafushata është një periudhë kur dezinformimi dhe lajmet e rreme marrin hov. Qytetarët mund të mashtrohen nga lajmet dhe keqinformimet në lidhje me kandidatët për deputetë, kandidatët për kryeministër, partitë politike dhe procesin zgjedhor në përgjithësi. Për më tepër, mund të ketë tendenca për ndërhyrje nga jashtë, të cilat dëmtojnë procesin zgjedhor në Kosovë. Prandaj, mediat kanë një detyrë të dyfishtë: të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin.
Sa për rikujtim, në raportin e fundit të NDI-së – zyra në Kosovë – për vitin 2023, me temën “Parregullsitë e informimit në Kosovë”, ndër të tjera thuhet se ka pasur një rritje të problematikave në informim (kliko: KËTU). Sipas raportit, gjatë vitit 2023 Kosova përjetoi tensione politike dhe të sigurisë, duke krijuar një mjedis që mundësoi parregullsi në informim, mosmarrëveshje ndëretnike dhe sfida për kohezionin social. Nga 4859 artikuj të monitoruar dhe postime të publikuara gjatë gjithë vitit, 996 prej tyre përmbanin parregullsi të tilla.
Gjithashtu, raporti ka theksuar se mediat shtetërore ruse dhe kineze luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e raporteve keqdashëse.
“Ky raport hulumton se si mediat tradicionale dhe platformat online, përfshirë Facebook, TikTok dhe Telegram, kanë mjete për të përhapur narrativa të rreme, për të manipuluar opinionin publik dhe për të frikësuar individët”.
Raporti hulumton më tej ndikimet e jashtme që ushqejnë këto parregullsi, duke u fokusuar veçanërisht në portretizimin e situatës në Kosovë nga mediat shtetërore ruse dhe kineze, me qëllim shërbimin e interesave të tyre gjeopolitike dhe antidemokratike.
Raporti shqyrton kërcënimin e paraqitur nga falsifikimet e thella dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale për çrregullimin e informacionit, rolin e botëve [bots] në amplifikimin e mesazheve politike dhe rastet e mizogjinisë në internet, si dhe imazhet e manipuluara që synojnë të shtrembërojnë perceptimin publik.
Raporti ofron një pasqyrë të qartë të sfidave në informim, duke theksuar nevojën për vigjilencë, edukim kritik medial dhe përgjigje të fuqishme për të mbrojtur peizazhin mediatik dhe për të ruajtur integritetin e informacionit.
Prandaj, roli dhe përgjegjësia e mediave është shumë e madhe për të informuar, ndërgjegjësuar dhe respektuar kodin etik gazetaresk.