Një raport i qeverisë amerikane mbi vëzhgimet e objekteve të paidentifikuara fluturuese (UFO) nuk gjeti prova të aktivitetit të huaj, megjithatë nuk përjashtoi një gjë të tillë, thanë zyrtarët për mediet amerikane.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, rishikimi i 120 incidenteve pritet të konkludojë se teknologjia amerikane nuk ishte e përfshirë në shumicën e rasteve.
Por përtej kësaj, raporti nuk bën vlerësime përfundimtare rreth asaj se çfarë mund të jenë objektet, thanë zyrtarët.
Një version i deklasifikuar i raportit do t’iu dorëzohet ligjvënësve në muajin qershor.
Raporti është produkt i një task force ushtarake i krijuar vitin e kaluar për të hetuar dekada të vëzhgimeve ajrore të pashpjegueshme në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Departamenti i Mbrojtjes tha se donte të “përmirësonte kuptimin” të fenomeneve ajrore të paidentifikuara (UAP), të njohur gjithashtu si UFO, dhe të përcaktojë nëse ato përbënin një kërcënim për sigurinë kombëtare. /Telegrafi/