Sipas raportit vjetor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Koreja e Veriut ka vjedhur një shumë rekorde të kripto-valutave vitin e kaluar dhe ky vend mund të jetë duke dërguar pajisje ushtarake të komunikimit në Rusi.
Raporti i lëshuar të mërkurën nga një panel i cili gjurmon implementimin e sanksioneve ndaj Pyongyang-ut, vlerësoi se shuma e aseteve të virtuale kap shifrën nga 630 milionë deri në mbi 1 miliardë dollarë, dhe kjo tejkalon dyfishin e shifrës së vitit 2021.
“Koreja e Veriut ka përdorur teknika të sofistikuara kibernetike edhe për të marrë qasje në rrjetet dixhitale të përfshira në financa kibernetike e po ashtu edhe për vjedhjen e informacioneve me vlerë potenciale për vendin, duke përfshirë këtu edhe programin e tyre të armëve”, deklaroi paneli, raporton Asia-Nikkei, transmeton Telegrafi.
Raporti u kërkoi vendeve anëtare që të miratojnë udhëzime nga Task Forca për Veprim Financiar kundër pastrimit të parave, në mënyrë që të parandalojnë përdorimin e aseteve virtuale nga përdorimi për blerjen e armeve të shkatërrimit në masë.
“Asetet virtuale të përfituara në mënyrë joligjore mbrohen si nga anonimiteti i “blockchain-it”, ashtu edhe nga “turbullimi” i qëllimshëm i kalimit të aseteve përmes shkëmbimeve të kriptomonedhave,” tha ai.
Paneli gjithashtu hodhi gishtin mbi hetimin e eksporteve të mundshme të pajisjeve për komunikim ushtarak në Rusi, dhe gjithashtu bëri të ditur se ka filluar të hetoi mbi pretendimet e eksporteve të armatimit nga vendi aziatik, në mes të agresionit rus në Ukrainë.
Ndërkohë, eksportet e paligjshme të qymyrit dhe importet e ngarkesave në ujërat territoriale të Koresë së Veriut mbeten një problem, shtoi tutje paneli i OKB-së. /Telegrafi/