Albion Rrahmani do të largohet nga Rapid Bukureshti dhe kanë mbetur vetëm edhe disa orë që kjo gjë do të bëhet zyrtare.
Sulmuesi kosovar karrierën do ta vazhdoj në Republikën e Çekisë, ku do t’i bashkohet kampionëve të Sparta Pragës.
Shitja e tij te Sparta Praga është konfirmuar nga drejtuesit e klubit, derisa tani ka ardhur edhe konfirmimi i Rapidit.
Klubi rumun ka lajmëruar tifozët se Rrahmani është larguar nga kryeqyteti rumun për të udhëtuar drejt Pragë për vizitat mjekësore.
“Fatkeqësisht, historia e “Lewa” në Giulesti është drejt fundit, me sulmuesin tonë që u largua sot nga vendi për të bërë një vizitë mjekësore në një skuadër tjetër”.
“Kështu, Albioni nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Rapid për ndeshjen kundër Dinamos, por sigurisht që do të mbështesë djemtë nga larg”, thuhet në njoftimin e Rapidit.
Rrahmani pritet të transferohet te Sparta e Pragës për një shumë prej 5 milionë eurove, derisa Rapidi do ta ruaj edhe 15 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme.
Kësisoj nga ky transferim i Rrahmanit do të fitoj edhe kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani.
Suharekasit kishin ruajtur 15 për qind të kartonit kur e shitën Rrahmanin dhe kjo ka dalë një gjë shumë e qëlluar.
Nga shitja e Rrahmanit prej 5 milionë eurove, në arkat e klubit kosovar Ballkani do të shkojnë 750 mijë euro.
Ballkani ka fituar 600 mijë euro nga shitja e Rrahmanit plus tani 750 mijë të tjera. /Telegrafi/