Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama u ka dalë në mbështetje grevistëve në institucionet arsimore dhe administratës, duke thënë se kërkesa e Qeverisë për listat e mësimdhënësve grevistë që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave është e kundërligjshme.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se është e drejtë e institucioneve arsimore dhe administratës për grevë, për shkak se pandemia COVID dhe lufta në Ukrainë ndikuan në rritjen enorme të çmimeve, ndërkohë që pagat mbetën të njëjtat.
Rama ndërkaq e ka quajtur të drejtë legjitime që mësimdhënësit t’ia nënshtrojë testit të rivlerësimit, proces ky që sipas tij, është dashur të ndërmerret që moti.
“Ndërkohë, shtatori sapo nisi dhe nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis një orë e më parë”, ka shkruar Rama.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik, është bërë pjesërisht për muajin gusht.
Sipas tij, kjo ndodhë për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve. /Telegrafi/