Site icon Telegrafi

Rama i kërkon Dumanit të veprojë: Dy kamikazë të PD-së në GJKKO thonë që do na shkrijnë

Kryeministri Edi Rama është shprehur se dy gjyqtarë në Gjykatën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë “kamikazë të Partisë Demokratike” dhe për këtë problem duhet të merret kreu i SPAK, Altin Dumani.

Rama iu referua gjyqtarit Erion Bani, i cili firmosi dy ditë më parë arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe një kolegu të tij që sipas kryeministrit i jep kryedemokratit Sali Berisha informacione nga bisedat e realizuara në EncroChat që rezultojnë në dosjet e SPAK.

“Është njeri me emër dhe mbiemër se e verifikova. Ju dëgjova me vëmendje në këtë diskutimin nga dje dhe sot. Jam dashamirës brenda vathës kur një i quajtur X.Y. merr urdhra nga Y.X. Nuk po ia them emrin, por ka dhe diçka tjetër që nuk e thatë. E bëtë pyetjen pse tani dhe jo më parë. Pse dy javë, një muaj më parë përshembull? Sepse tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar, i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj. Gjyqtarët si prokurorët krahas shorteve elektronike për menaxhimin e punës organizohen edhe në javë dhe ditë gatishmërie për kërkesa të ngutshme dhe ngjarje që kanë nevojë të trajtohen përmes veprimeve të menjëhershme.

Jo, Nesti…ishte aty që në shkurtin e kaluar. Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe iu informoj se gjyqtarët e të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuara nga prokurori dhe jo ta ashpërsojë. Por edhe pse ju ligjin e keni bërë për një garanci më shumë në fakt keni garantuar atë 100 përqindëshin e vulosjeve të kërkesave të prokurorisë.

Ky gjyqtar e ka nisur karrierën si koleg zyre me ( këtë emrin s’po e them se e keni në parlament) kur ishte ministër i Drejtësisë Eduart Halimi. Pastaj përfundoi në GJKKO. Ky dhe një tjetër nga qyteti X i njohur familjarisht si ekstremisht të djathtë kanë trajtuar më së shumti kërkesa për eksponentë të PS. Disa herë në vendimet e tyre disa herë e kanë kaluar cakun e gjyqtarit duke bërë konsiderata që ligji nuk ua lejon dhe duke kërkuar ashpërsimin e masave të kërkuara nga prokurorët. Përshembull trajtohet edhe për këtë vepër pse do të ishte mirë të kërkohej kjo masë nga prokuroria. I tillë është edhe rasti X që diskutohet shumë si skandal në të gjitha rrethet e juristëve.

Së dyti, i njëjti gjyqtar është gjyqtari paraprak për dosjen Toyota Yaris. Vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalim publikim të vendimit të tij gjë që nuk e bën, por bën të kundërtën për raste kur duhet të përbalten njerëz të PS për shkak se përmenden shumë kolegë të tyre. Por ama ditën e parë, vendimin e pati në dorë prapë njëri që e keni në parlament dhe tani e ka bufi i kënetës që ua lexon shqiptarëve komunikimet nga EncroChat në parlament. Të gjitha janë pjesë e përmbajtjes së këtij vendimi gjyqësor i ndaluar për t’u publikuar. Kjo është vepër penale. Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të Partisë Demokratike në GJKKO që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe atij duke thënë që ne do t’i shkrijmë”, tha Rama.

Exit mobile version