Janë zbardhur detaje nga takimi që Sekretari amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Departamenti i Shtetit shkruan se Sekretari Pompeo riafirmoi mbështetjen e SHBA për synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.
Pompeo bisedoi me Ramën dhe për reformën në drejtësi, atë zgjedhore dhe NATO-n
“Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington. Sekretari Pompeo dhe kryeministri Rama diskutuan rreth priopriteteve gjatë kryesimit të OSBE nga Shqipëria. Sekretari ritheksoi mbështetjen e fortë të SHBA për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.
Sekretari përgëzoi Kryeministrin për përkushtimin e palëkundur të qeverisë së tij ndaj ndarjes së barrës së NATO-s, për reagimin kundër veprimtarisë dashakeqe të Iranit dhe për ndërmarrjen e një roli udhëheqës rajonal në mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit të gjeneratës së ardhshme”, shkruhet në njoftimin e DASH.
Kurse kryeministri Edi Rama shkruan se u diskutua mbi Rindërtimin, paketën Anti-KÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi
“Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Edi Rama.