Rama deklaroi se "ndotësit më të mëdhenj të Shqipërisë janë shqipfolësit, jo të huajt"- reagon ashpër Berisha
"Shqipot janë urrejtja e këtij mender antishqiptari". Kështu e ka quajtur kryetari i PD-së Sali Berisha kryeministrin e Shqipërisë pasi ky i fundit ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët sipas tij janë ndotësit më të mëdhenj të parqeve dhe pikave turistike në vend.
Ndryshe Rama tha se problemet më të mëdha me mbeturinat nuk shkaktohen nga turistët e huaj, por nga vetë shqiptarët.
Gjatë një aktiviteti për sezonin turistik veror, Rama tha se në zonat më të bukura turistike shfaqen edhe grumbujt më të mëdhenj të plehrave.
“Turistë jo anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht folës, por shqipfolës, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Shqipe që ndalojnë në pikat panoramike për të bërë selfie ‘oh sa e bukur je ti moj Shqipëri’, dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre”, tha Rama.
Ai shtoi se ndotja është më e dukshme pikërisht në hapësirat ku qytetarët ndalojnë për të pushuar dhe fotografuar.
“Jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, ata që thyejnë karriget në stadium dhe synojnë t’i kthejnë ndeshjet në luftë, sidomos kur përballen me Serbinë. Ndërkohë, këta janë edhe ndotës të Shqipërisë kur vjen puna tek qëndrimi në plazh”, u shpreh ai.
Rama vijoi me tone ironike, duke theksuar se edhe pse është bërë një transformim i madh në pastrimin e mbeturinave, puna bie poshtë nëse qytetarët vazhdojnë të hedhin plehra.
“Sikur gjithë ushtria popullore të ngrihet për të pastruar nuk bëhet, nëse paralelisht ke nga ata që hedhin plehrat. Shqipfolësit!”, deklaroi ai./Telegrafi/


