Përfaqësues të Lista Serbe pas takimit me emisarët ndërkombëtar, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, kanë mbajtur një fjalim para protestuesve serbë në Zveçan, megjithatë, mediat nuk janë lejuar të marrinë pjesë.
KosovaPress ka insistuar ta pyes kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq lidhur me takimin që kishin me Lajçak dhe Escobar, si dhe qëndrimin e përfaqësuesve serbë pas atij takimi, por Rakiq vetëm ka thënë se protestat do të vazhdojnë.
Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 7 pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore në afër ndërtesave në veri.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë thënë se mund të ndodhë diçka e tillë, gjithnjë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011. Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar, sidomos nga Serbia. /kp/