Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti 2 e ka sulmuar shefin e tij në Qeveri lidhur me qëndrimin e tij për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Rakiq e ka quajtur hipokrit qëndrimin e liderëve shqiptarë ndaj dialogut dhe zgjidhjes në mënyrë paqësore të çështjeve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se këtë më së miri e pasqyron deklarata e fundit e Albin Kurtit, “i cili tha publikisht se Prishtina nuk ka ndërmend të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, respektivisht të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit”, transmeton Telegrafi.
“Me këtë, Kurti vërtetoi sot se qëndrimi i tij ndaj dialogut është një aktrim dhe gënjeshtër, dhe se pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, nuk do të ketë dialog të vërtetë ose ndonjë rezultat, me çfarë Kurti me vetëdije paraprakisht e ka gjykuar të dështojë”, thuhet në deklaratën e Rakiqit të publikuar në faqen zyrtare të Listës Serbe në Facebook.
Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik.
“Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion një etnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, tha Kurti sot në Prizren.
Rakiq tha se “me këtë deklaratë, Kurti në të vërtetë tregoi publikisht se nuk dëshiron dialog dhe se nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve, dhe se sjellja e tij deri më tani ka qenë duke aktrim. Kjo është gjithashtu një shuplakë për fytyrën e Bashkimit Evropian, nën përkujdesjen e të cilit po zhvillohet dialogu, dhe i cili është garantuesi i zbatimit të marrëveshjes, por edhe donatori më i rëndësishëm dhe më i madh”, tha Rakiq. /Telegrafi/