Shpërthimi i raketës SpaceX në mënyrë dramatike në një top zjarri, u bë menjëherë pasi iu nënshtrua një testimi. Ky është një prej dështimeve të shumta, të prototipave të raketave Starship.
Starship po i bënte provat tokësore në një pjesë të kompanisë në Teksas të Shteteve të Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve që kjo raketë gjigante metalike të niset në fluturim, transmeton Telegrafi.
Eksplodimi ndodhi disa orë para lansimit të një rakete nga kompania hapësinore e Elon Musk, për të nisur dy astronautë të Nasa-s nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida duke përdorur një sistem ndryshe rakete, Falcon 9 me kapsulën e Creë Dragon të fiksuar në majë.
Imazhet e regjistruara nga NASA Spaceflight, e tregojnë prototipin që kthehet në një top zjarri në zonën e testimit Boca Chica të SpaceX.
Gjatë këtij aksidenti, nuk raportohet të jetë lënduar ndonjë person. Në anën tjetër, SpaceX nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, lidhur me këtë aksident.
Independent raporton se Starship është një raketë e gjatë 120 metra, që është krijuar për të transportuar njerëz dhe 100 tonë ngarkesë në Hënë dhe Mars.
Kjo raketë e ripërdorshme konsiderohet si e ardhmja e udhëtimeve hapësinore, që mund ta bëjë të përballueshme fluturimin e njerëzve në hapësirë.
Në Mars, Musk ndau imazhe të prototipit, pas një varg shpërthimesh që shkatërruan versionet e mëparshme të raketës Starship.
SpaceX është në mesin e tri kompanive që u shpërblyen me një miliard dollarë, për të ndërtuar një raketë që do të dërgonte në hapësirë njerëz dhe mallra. /Telegrafi/