Site icon Telegrafi

Qytetarët në veri thonë se nuk do ta bojkotojnë votimin e 21 prillit

Pavarësisht bojkotit që do t’i bëjë Lista serbe, qytetarët pritet t’i përgjigjen votimit të 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë të komunave në veri të Kosovës.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për thirrjet e Listës Serbe që procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të bojkotohet, e nga shoqëria civile bojkoti nga votimi është quajtur i pavend.

Thirrja e Listës Serbe nuk e ka zbehur dëshirën e qytetarëve për ta shfrytëzuar të drejtën e votës më 21 prill për shkarkimin e kryetarëve aktualë në komunat e pjesës veriore.

“Duhet të jesh budalla ta bojkotosh këtë votim. Ky është mendimi im, kam dëgjuar që Lista Serbe diçka po përzien, unë nuk jam dakord me qëndrimet e tyre. Unë do të dalë të votoj”, tha për RTK një qytetar.

“Bashkësia evropiane është përgjegjëse, duhet të flas me Prishtinën që procesi të jetë demokratik, siç na takon, kjo është përgjigja ime”, tha tjetri qytetar.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për thirrjet e Listës Serbe që procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të bojkotohet.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë kosovarë që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për shkarkimin e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është boshte për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të qytetarëve që u shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën e Shteteve të QUINT-it.

Sipas komunikatës, bojkotimi i këtyre votimeve nuk sjell asnjë rezultat pozitiv për serbët e Kosovës andaj i kanë bërë thirrje Listës Serbe dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.

Nga shoqëria civile në veri thonë se thirrja e Listës Serbe për bojkot është veprim i gabuar.

“Mendoj se ky qëndrim i Listës serbe nuk është i mirë, mendoj se është gabim, që po e vazhdon këtë agoni që në këto rrethana është e neveritshme”, tha Miodrag Marinkoviq, drejtor i OJQ “CAZA”

Megjithatë, qendrat e votimit në komunat veriore janë caktuar. Të dielën e ardhshme do të vëzhgohen edhe nga kamerat.

Me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore në qendrat e votimit ku do të votohet me 21 prill, do të vendosen edhe kamera. Në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut, e cila do të shfrytëzohet si qendër votimi, nuk ka filluar ende vendosja e kamerave”

Kur kanë mbetur më pak se 10 ditë nga ky proces, kamerat nuk janë vendosur as në vendvotimet e tjera të kësaj komune, por as të tri komunave të tjera veriore, megjithëse sipas KQZ-së, kjo pritet të bëhet në ditët në vijim. Që ky proces të ketë sukses, duhet të votojnë pro mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote.

Exit mobile version