Qualcomm Inc gjatë së hënës tha se po punon me një grup të kompanive të telefonave të mençur Android për të shtuar aftësitë e komunikimit të mesazheve me satelitë në pajisjet e tyre.
Kompania me bazë në San Diego të Kalifornisë, e cila është edhe furnizuesi më i madh në botë për çipat të cilët i lidhin telefonat mobil me rrjetet “wireless”, tha se është duke punuar me Honor, Motorola, Nothing, Oppo, Vivo dhe Xiaomi Corp, për zhvillimin e këtyre pajisjeve.
Komunikimet e bazuara në satelit mund të dërgojnë dhe të marrin të dhëna në rajone të largëta ose rurale ku rrjetet e tjera të telekomunikimit nuk janë në dispozicion.
Qualcomm njoftoi se po shtonte këto aftësi në çipat e tyre nga ky vit, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
Bashkëpunimi i Qualcomm me prodhuesit e pajisjeve Android ka gjasa që të ngritë konkurrencën në mes të atyre markave dhe Apple, markë kjo e cila vitin e kaluar e kishte prezantuar veçorinë e cila lejonte dërgimin e mesazheve emergjente satelitore si një nga veçoritë kryesore të linjës më të re të iPhone-ëve.
Ata iPhone të ri përmbajnë një çip nga Qualcomm, edhe pse Apple për Reuters kishte deklaruar se ato telefona përmbajnë edhe harduer dhe softuer të personalizuar që janë pronë e Apple.
Qualcomm nuk tha se kur do të viheshin në dispozicion veçoritë e reja të mesazheve satelitore nga markat e telefonave të mençur Android të bërë publik gjatë së hënës.
Ata thanë se disa nga telefonat Android do t’i kenë të integruara këto veçori nga gjysma e dytë e këtij viti. /Telegrafi/