Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë pritur sot në takim zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda van Gelder, drejtoreshën e re rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, si dhe Menaxherin e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci.
Siç njofton Qeveria, në këtë takim përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë thanë se presin që së shpejti të kalojë në Kuvend marrëveshja për reformën sociale, sepse “ajo është përgjigja e duhur ndaj krizës inflacionare dhe jo prekja e mjeteve të trustit pensional”.
Po ashtu, thuhet se në takim është biseduar edhe për stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë.
“Kryeministri veçoi rritjen e eksporteve dhe potencialin e madh në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe angazhimin e qeverisë për digjitalizim. Znj.Bjerde e përgëzoi Qeverinë për rritjen ekonomike që ishte ndër më të lartat në rajon”.
“Si përparësi e pasuri e vendit tonë u theksua kapitali njerëzor, prandaj Qeveria është fokusuar te investimet në fëmijërinë e hershme, në kopshte e parashkollorë. U fol për rëndësinë që ka arsimimi profesional në parandalimin e migrimit të të rinjve. Kryeministri theksoi mbështetjen e Qeverisë për vajzat në STEM, me qëllim të mbylljes së hendekut gjinor në profesione”.
Tutje, thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Bankës Botërore për Kosovën në shumë fusha.
“Ai veçoi projektin për përballjen me pandeminë Covid-19. Lidhur me situatën stabile aktuale në vend, u theksua se tash e disa ditë kemi regjistruar numra një shifror të të infektuarve me këtë virus. Znj.Bjerde cilësoi si impresive shkallën e vaksinimit që Kosova ka arritur”.
Duke biseduar për situatën aktuale me energji elektrike, është përmendur edhe ndikimin i luftës në Ukrainë.
“Kryeministri bëri të ditur se jemi afër lansimit të Strategjisë së energjisë dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për energji të ripertëritshme”. /Telegrafi/