Qeveria përcaktoi tekstin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpalljen e bërthamës së vjetër të qytetit të Ohrit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.
Me ndryshimet e Ligjit, siç sqaron iniciatori, Ministria e Kulturës, shtohet mbrojtja e kompleksit monumental të bërthamës së qytetit të vjetër të Ohrit, në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Gjithashtu, ndryshimet krijojnë një bazë ligjore për përmirësimin e mbrojtjes së qytetit të vjetër të Ohrit.
Bërthama e vjetër e qytetit të Ohrit është pjesë përbërëse e pronës së mbrojtur si “Zonë Natyrore dhe Kulturore-Historike e Ohrit”, me Vendim të UNESCO-s nga viti 1979/80.
Risia më domethënëse e paraparë me këtë projektligj është se deri në miratimin e planeve të reja detale urbanistike të harmonizuara sipas mbrojtjes së përcaktuar në to, nuk do të mund të ndërtohen objekte të reja, shtesa dhe përmirësime në bërthamën e qytetit të vjetër të Ohrit.
Gjithashtu, projektligji përmban dispozita për mbrojtjen e veçantë të bërthamës së qytetit të vjetër të Ohrit dhe zonës së kontaktit të tij, me qëllim parandalimin e veprimeve, dukurive dhe ndikimeve që shkaktojnë ose mund të shkaktojnë dëmtim, ndryshim të pakthyeshëm, shkatërrim apo degradim të monumentit.