Telegrafi

Qeveria miraton plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatim në pronë të paluajtshme, përfshihet edhe falja tatimore për vitin 2023

Foto: Ilustrim

Në një mbledhje elektronike të mbajtur sot Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pronën e Paluajtshme dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në mbledhjen e 137 ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

“Qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/111 të datës 7 dhjetor 2022, si dhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/23, të datës 8 prill 2020.

Gjithashtu është miratuar vendimi për miratimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027.

“Programi është dokumenti kryesor Strategjik i Republikës së Kosovës për zbatimin e reformës për integrim në Bashkimin Evropian, i orientuar kah adoptimi aquis së BE-së në legjislacionin kombëtar dhe zbatimin e tij”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/