Qeveria e Kosovës ka pranuar mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ai tha se javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve, ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve.
“Deri më tani janë mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat, teksa aplikimi vazhdon të jetë i hapur. Javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve”, deklaroi Kryeziu.
Ai shtoi se pas verifikimit do të fillojnë ekzekutimin e mjeteve.
“Po punojmë që kjo të ndodhë sa më parë”.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 21 prill ka hapur platformën online për aplikim për tërheqjen e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat.
Aplikimi për mbështetje vazhdon të jetë i hapur deri më 20 maj dhe bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në vegzën në vijim: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim
Kusht për kualifikim është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore në muajin shkurt 2022.
Kurse, punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, dhe subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022. /Telegrafi/