Site icon Telegrafi

Qeveria: Kurti u ftua nga Rama në takimin joformal, nuk merr pjesë për shkak se ndodhet në Greqi

Sot në Tiranë do të mbahet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkani, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Ndonëse u tha se nuk dihet nëse kryeministri Albin Kurti është ftuar nga kryeministri Edi Rama, megjithatë ftesa është dërguar.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një njoftimi në Facebook.

Kryeziu ka njoftuar se kryeministri Kurti nuk do të marrë pjesë në takimin e sotëm, për shkak të pjesëmarrjes së tij në konferencën në Kretë të Greqisë.

Lexo po ashtu Liderët e rajonit në takim joformal në Tiranë, Kurti nuk dihet nëse do të jetë prezent

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se natyrisht që Kurti do të marrë pjesë në Samitin në Berlin.

“Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu.

Pjesëmarrjen në takim e sotëm jofromal në Tiranë, e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen./Telegrafi/

Exit mobile version