Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2024.
I njëjti Projektligj do të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe pastaj miratim.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro
Ministri i Financave, Hekuran Murati para kabinetit qeveritar ka deklaruar se pavarësisht sfidave globale Qeveria e Kosovës përmes politikave të ndryshme ka mundësuar zgjerimin e ekonomisë.
Murati ka deklaruar se sipas vlerësimit rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të përmbyllet me 4% në terma real 9.6% të terma nominal.
“Rritja e të hyrave buxhetore për periudhën janar-shtator ka shënuar rritje të konsiderueshme prej më shumë se 14.3% krahasuar me të njëjtën periudhë e vitit paraprak. Presim që vitin 2024, të hyrat buxhetore totale të arrijnë vlerën 3 miliardë e 28 milionë euro, që paraqet rritje prej 5% në raport me vitin paraprak. Ndërkaq shpenzimet buxhetore parashihet që të arrijnë vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se sa i përket strukturës së shpenzimeve në raport me buxhetin e rishikuar të këtij viti në vitin 2024 në kategorinë paga dhe shtesa do të ketë një rritje prej 60 milionë euro apo 8%, krahasuar me vitin 2023.
“Në kategorinë mallra dhe shërbime do të ketë rritje prej 5.2%, në kategorinë subvencione dhe transfere do të ketë një tkurrje në vlerën prej 3.45%, kurse në kategorinë e shpenzimeve kapitale rritja do të jetë 4.7% krahasuar me vitin paraprak”, tha Murati. /Telegrafi/