Telegrafi

Qeveri OBRM-PDUKM, LSDM, BDI dhe PDSH për të shpëtuar Maqedoninë?

Së shpejti pritet formimi i një Qeverie të zgjeruar që do të përfshijë katër partitë më të mëdha për momentin, OBRM-PDUKM, LSDM, BDI dhe PDSH, thonë për “Lajm” burime të larta partiake.

Sipas tyre, kjo tashmë nuk është vetëm ide për të cilën mendohet, por edhe çështje rreth të cilës kanë filluar negociata konkrete mes partive politike dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Shkup.

Shumica e anëtarëve të KSHZ-së, së shpejti do të dalin me qëndrim se nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, me çka do të bie në ujë tentimi për mbajtjen e tyre.

Tani po kërkohen forma për thirrje të një seance të re të Kuvendit, ku do të votohej kabineti i ri qeveritar.

Qeveria e re dot funksionojë deri në momentin kur katër partitë bashkërisht do të vlerësojnë se janë pjekur kushtet për zgjedhjet e parakohshme, ose më së voni deri në vitin 2018, kur është termini i rregullt për zgjedhje parlamentare.

Rol kyç në përcaktimin e ministrave nuk do të kenë vetëm partitë politike, por edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që do të insistojnë në emërimin e figurave të pakompremetuara.

Të mëdha janë gjasat që në qeverinë e re të mbeten disa nga ministrat e sapo zgjedhur nga radhët e BDI-së, sepse për ta thuhet që i plotësojnë kriteret për të cilat insistojnë ndërkombëtarët. “Megjithatë BDI do të duhet të heqë dorë së paku nga dy poste ministrore që i mban tani”, thonë këto burime.

Ndërkombëtarët poashtu kërkojnë që qeveria e re të ketë numër më të vogël të ministrave, në krahasim me qeverinë aktuale.

Edhe pse OBRM-PDUKM insiston për rikthimin e Gruevskit kryeministër, shef i pushtetit ekzekutiv edhe më tutje pritet të mbetet kryeministri i tanishëm, Emil Dimitriev./Lajm/Telegrafi/