Mosfunksionimi urogjenital përfshin një numër të madh diagnozash, vështirësitë që lidhen në çfarëdo mënyre me muret e legenit ose me anatominë dhe fiziologjinë e organeve të vendosura në komblik
Msc. Pht. Irfan M.Tifeku
Master of Physiotherapy
+383 45 330 144, Prishtinë
00447770083120, Londër
Disfunksioni urogjenital është një çrregullim i shkaktuar nga dobësimi e dëmtimi i muskujve të komblikut në strukturat e poshtme dhe mbështetëse si fasciat dhe ligamentet. Përgjegjës janë edhe nervat të cilët transmetojnë stimujt seksual (i ashtuquajturi nervi pudendal, transmeton sinjalin nga pjesa e pasme e legenit në të gjithë muskujt dhe zonën gjenitale, duke përfshirë anusin, vagjinën dhe penisin. Dëmtimi i tij mund të çojë në një sërë problemesh, duke përfshirë disfunksionin erektil, si dhe mungesën e dëshirës për seks). Gjithashtu, zvogëlimi i aktivitetit seksual nuk është i rrallë të pacientët me dhimbje shpine.
Këto fakte shqetësuese nuk janë problem i pazgjidhshëm, megjithatë ekzistojnë mënyra të thjeshta që përmirësojnë situatën.
Fizioterapia konsiderohet të jetë një komponentë e spikatur e menaxhimit konservativ të çrregullimeve urogjenitale. Ndërhyrja e saj duke përdorur metoda të ndryshme, ndihmon në ruajtjen e forcës dhe funksionit të muskujve të legenit, të cilët mbajnë fshikën, zorrët (gratë dhe burrat) dhe mitrën (gratë) në vendin e duhur; pengojnë daljen pa dashje nga trupi të urinës dhe të defekimit; janë të rëndësishëm për kënaqësinë dhe mirëqenien seksuale.
Megjithëse nuk janë kërcënuese për jetën, këto çrregullime përfaqësojnë një problem madhor të shëndetit publik për shkak të shpeshtësisë së tyre dhe në shumë fusha dëmtojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës së individit.
Në praktikën e përditshme të fizioterapisë, vlerësimi në drejtim të disfunksionit urogjenital aplikohet rrallë, prandaj njohuritë më të reja duhet të drejtohen drejt ndërhyrjes dhe përmirësimit të rezultateve të kësaj fushe.
Fizioterapia e dyshemesë pelvike është e bazuar në prova shkencore dhe është e sigurt të përdoret duke targetuar muskujt, nervat, ligamentet, indet lidhore, sistemin limfatik, kyçet dhe lëvizshmërinë e tyre.
Mosfunksionimi urogjenital te femrat
Ju mund të përjetoni mosmbajtje urinare, probleme të rikuperimit pas lindjes, marrëdhënie të dhimbshme, etj., por, a e dini se fizioterapia e dyshemesë së legenit mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre problemeve?
Ndër problemet e mosfunksionimit urogjenital, më të shpeshta janë mospërmbajtja urinare, tek e cila dallojmë inkontinencën statike, urgjente, të përzier, të tejmbushur dhe atë idiopatike funksionale; fshikëza neurogjenike; ndryshimet në pozicionin e organeve të brendshme seksuale dhe disfunksioni seksual.
Disa nga faktorët e rrezikut për shfaqjen e mosfunksionimit urogjenital janë mosha, shtatzënia dhe lindja, dobësia e fundit të komblikut, rritja e presionit intraabdominal për shkak të obezitetit, kolla kronike, kapsllëku dhe puna e rëndë fizike, radioterapia e kancerit të qafës së mitrës dhe tumoreve të tjera të lokalizuara në komblik, ndërhyrjet kirurgjikale, lëndimet traumatike të shtyllës kurrizore dhe sëmundjet neurologjike.
Me këtë problem përballen edhe femrat që merren me sport. Prevalenca e mosmbajtjes së urinës është më e larta në sportet me intensitet të lartë me kërcime të shumta dhe shumë vrapim, si gjimnastika, hendbolli, basketbolli, volejbolli dhe të ngjashme. Mosmbajtja e urinës shpeshherë kalon e panjohur për shkak të mungesës së edukimit të trajnerëve dhe vetë sportisteve për këtë problem.
Gjithashtu, te disa femra, mosfunksionimi ndodh herë pas here, për disa në mënyrë periodike, dhe për disa edhe përjetë. Ky problem mund të ndodhë vetëm në situata të caktuara, por edhe në të gjitha situatat seksuale. Arsyeja është më shpesh i lidhur me emocionet, besimin, mënyrën e jetesës dhe marrëdhëniet në çift.
Zgjimi seksual është një mekanizëm kompleks që përfshin trurin, ndjenjat, hormonet, sistemin e gjakut, muskujt dhe sistemin nervor, por shumë çifte nuk po përballen me problemin dhe mbajnë një marrëdhënie seksuale të pakënaqshme me kalimin e kohës, duke përsëritur një rutinë të keqe seksuale që dëmton përgjithmonë marrëdhënien e tyre.
Kjo problematikë mund të trajtohet në mënyrë kirurgjikale dhe konservatore.
Procesi i fizioterapisë fillon me një vlerësim i cili përcakton shkaqet dhe pasojat e deficitit funksional. Faktorët etiologjikë që çojnë në mosfunksionim të muskujve të fundit të komblikut janë të ndryshëm dhe kategorizohen në faktorë predispozues, faktorë stimulues dhe faktorë dekompensues. Për vlerësimin e funksionit dhe forcës së muskujve të fundit të komblikut aplikohen vëzhgimi klinik, palpimi vagjinal, MMT, manometri, dinamometri, ultratingulli, RM dhe EMG.
Metodat e mësipërme të vlerësimit ndihmojnë terapeutin në përcaktimin e qëllimeve dhe udhëzimeve të pacienteve për tkurrjen e relaksimin e duhur dhe stërvitjen e muskujve të fundit të komblikut, biofeedback-un, procedurat elektroterapeutike dhe magnetike dhe përdorimin e pesarëve.
Mosfunksionimi urogjenital te meshkujt
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë po ndodhin rënie seksuale të papritura, sidomos në moshat e reja. Vështirësitë seksuale mes partnerëve lidhen kryesisht me disfunksionin erektil (DE).
Procesi i arritjes së ereksionit fillon me stimuj seksualë që ndikojnë në shqisat dhe më pas muskujt e penisit relaksohen dhe rrjedhja e gjakut rritet nëpër vena. Nëse ndonjë nga këta faktorë dështon, arritja e një ereksioni mund të jetë e vështirë ose e pamundur.
Meshkujt e prekur nga disfunksioni erektil nuk janë në gjendje të zhvillojnë ose mbajnë një ereksion të mjaftueshëm për marrëdhënie seksuale pavarësisht se janë të stimuluar seksualisht. Akti seksual i mbajtjes së ereksionit është një akt mashkullorësisë dhe nëse kjo pjesë dështon, ndikon negativisht në aspektin psikologjik të mashkullit. Ai fillon të krijojë një imazh të keq për veten dhe cilësia e tij e jetës përkeqësohet ndjeshëm.
Mosfunksionimi erektil – impotenca, mund të shkaktohet nga faktorë fizikë ose edhe psikologjikë, në shumicën e rasteve të kombinuar me njëri-tjetrin. Problemet mund të jenë organike, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet infektive kronike dhe radioterapia në zonën e legenit medikamentet, ndërhyrjet kirurgjikale. Ndër faktorët e riskut përfshihen edhe mosha, hipertensioni, mbipeshja, problemet vaskulare, dëmtimet neurologjike. Shkaku më i zakonshëm është ngecja në qarkullimin e gjakut, por edhe muskujt luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Çrregullime të tilla kufizojnë qarkullimin e gjakut në penis.
Problemi me marrjen e barnave për trajtimin e impotencës është se ato nuk mund të përdoren nga të gjithë, meshkujt që kanë presion të lartë të gjakut, sulme në zemër të kaluara, probleme me mëlçinë, sëmundjen e Peyronie dhe më shumë shkaqe të tjera. Këto barna gjithashtu maskojnë vetëm përkohësisht problemin, pa trajtuar shkakun themelor, gjë që në shumë raste mund të çojnë në një përkeqësim të gjendjes. Megjithëse terapia farmakologjike ka revolucionarizuar trajtimin e mosfunksionimit erektil, ajo është e kufizuar vetëm në trajtimin e simptomave. Duke qenë se nuk ka efekt të qëndrueshëm, kur ndërpritet terapia, problemi rishfaqet.
Duke qenë se ky është një problem kulturor dhe lidhet me ndjenjën e burrërisë dhe ndjenjën e turpit, shpesh meshkujt nuk shkojnë tek urologët ose fizioterapistët për ta zgjidhur këtë problem.
Si duket trajtimi i impotencës (disfunksionit erektil) me valë goditëse?
Personat me çrregullim të lehtë dhe të moderuar të ereksionit, mund ta zgjidhin këtë problem përmes ‘shockwave’, një formë terapie e ushtruar nëpërmjet një pajisjeje që përdoret në urologji, fizioterapi, mjekësi sportive, etj.
Gjatë trajtimit, sipas protokollit, aparatura gjeneron valë shpërndarëse në inde me intensitetit të ulët dhe, kështu, stimulon formimin e enëve të reja të gjakut në zona të caktuara anatomike, vaskulare të penisit. Kjo përmirëson rrjedhjen e gjakut në penis, stimulon procesin natyral të trajtimit, gjë që mund të ndikojë pozitivisht në aftësinë për të arritur një ereksion cilësor, të fortë dhe afatgjatë.
Gjithsesi, para fillimit të terapisë, është e nevojshme të kryhet vlerësimi diagnostik nga mjeku urolog dhe vaskular, për të kuptuar nëse mekanizmi erektil është i dëmtuar dhe ata nuk do të përfitojnë nga ky trajtim.
Kjo procedurë kryhet nuk kërkon anestezi dhe përgatitje të veçanta. Nëse keni dhimbje, rekomandohet marrja e medikamente pa recetë, të tilla si acetaminofen ose ibuprofen. Shumica e njerëzve mund të kthehen në aktivitetin normal të nesërmen pas terapisë me valë shoku.
Këto të dhëna duhet të inkurajojnë pacientët, të cilët kërkojnë me çdo kusht ndihmën e fizioterapeutit profesional, i cili përdor teknika të synuara për të lehtësuar shqetësimet, por edhe duke përmirësuar cilësinë e jetës suaj. /Telegrafi/