Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, ka refuzuar ankesën e subjektit politik LVV për pranimin nga KQZ i 4639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës.
“PZAP në seancën e mbajtur me datë 28.10.2019 sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke u bazuar në Aktgjykimin A.A.-U.ZH.nr.19/2019 të datës 25.10.2019, ka shqyrtuar ankesën: Anr.375/2019 e datës 17.10.2019 të paraqitur nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën ka kërkuar që të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 4639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës. Paneli lëndën e kthyer në ri-shqyrtim e ka vendosur brenda afatit ligjor prej 72 orëve. Ankesa Anr.375/2019, Refuzohet si e pabazuar”, thuhet në njoftim për media të PZAP-it.
Sipas njoftimit pala mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit ligjor prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit nga pala, ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendosë lidhur me ankesën brenda afatit prej 72 orëve.
“Është në kompetence të Gjykatës Supreme se çfarë vendimi do të marrë lidhur me ankesën”, thuhet në njoftim./Telegrafi/