Duke ditur rëndësinë e mbajtjes së rezervave të mjaftueshme të gjakut, veçanërisht gjatë muajve të verës, punonjësit e Coca-Cola HBC Kosovë organizuan një aksion vullnetar për dhurimin e gjakut, duke mbledhur rreth 12 litra të këtij lëngu trupor vital për trupin e njeriut.
Aksioni, i realizuar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, përfshiu 24 punonjës të Coca-Cola HBC Kosovë.
“Dhurimi i gjakut është ndoshta një nga veprimet më humanitare që mund të ndërmarrim, duke ditur se çdo pikë gjaku e dhuruar e ka fuqinë që të shpëtojë jetë. Jemi jashtëzakonisht krenarë për numrin e madh të punonjësve tanë që morën pjesë në këtë aksion. Gatishmëria e tyre për të marrë pjesë në këtë iniciativë, është shembull i përkushtimit tonë për ta mbështetur komunitetin tonë dhe për të bërë një ndikim pozitiv”, tha Venera Kamberaj, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në Coca-Cola HBC Kosovë.
Coca-Cola HBC Kosovë i përkushtohet ofrimit të produkteve dhe shërbimeve të cilësisë së lartë, duke bërë një ndikim pozitiv në komunitet.
Përmes iniciativave të ndryshme të përgjegjësisë sociale të korporatës, kompania kontribuon aktivisht në mirëqenien e komunitetit kudo në Kosovë.