Asociacionin e kundërshtojnë 94 për qind e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të Kosovës (Video)
30 Maj 2016 – 20:00
94 për qind e shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera e kundërshtojnë fuqishëm krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto janë të gjeturat e Pulsit Publik të UNDP-së, për periudhën shtator 2015 – mars 2016, raporton KTV.
Ndërsa, shumica e serbëve ose 69 për qind fuqishëm e përkrahin krijimin e AKS-së.
Kjo është një nga çështjet që partitë opozitare e kanë kundërshtuar, bashkë me demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin 54 për qind e kosovarëve mendojnë se duhet të finalizohet.
Megjithatë, vetëm 17 për qind e të anketuarve kanë përkrahur përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend.
Sipas anketës, shumica ose 73 për qind e të anketuarve miratojnë protestat paqësore të organizuara nga opozita, për të sfiduar këto marrëveshje.
Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme përkrahet nga 42 për qind e pjesëmarrësve në anketë.
Përderisa kënaqshmëria e kosovarëve me institucionet kyçe ekzekutive, gjyqësore dhe legjislative është përmirësuar, megjithatë ka rënë kënaqshmëria e tyre me drejtimin aktual politik të Kosovës.
Krahasuar me shtatorin e 2015-ës, anketa e fundit nxjerr në pah një rënie prej 5 pikë të përqindjes në kënaqshmërinë me drejtimin aktual politik të Kosovës.
Shumica ose 78 për qind e qytetarëve vazhdojnë të mendojnë që problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova janë papunësia, varfëria dhe korrupsioni.
Kështu, institucionet që perceptohen si më të korruptuarat janë Gjykatat e Kosovës (42 për qind), Agjencia Kosovare e Privatizimit (39 për qind), ofruesit e shërbimeve shëndetësore (38 për qind), Institucionet/Administrata Qendrore (37 për qind), Doganat (32 për qind) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (31 për qind).
Ky është pulsi publik i 11-ti me radhë që matet nga UNDP-ja dhe USAID-i.