Paris Saint-Germaini ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Reims në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit francez.
Rasti i parë serioz për vendasit erdhi në minutën e 27-të, por gjuajtjen e fortë të Goncalo Ramos e priti portieri mysafir.
Ishte pikërisht Ramos që pati një tjetër mundësi të artë shënimi në minutën e 33-të, por sërish portieri bëri një pritje fantastike për t’ia mohuar golin.
Me të filluar pjesa e dytë, PSG-ja arriti që të kalojë në epërsi në minutën e 47-të përmes Ousmane Dembele që realizoi për 1-0 pas asistimit të Khvicha Kvaratskhelia.
Sidoqoftë, i shpejtë ishte edhe reagimi i mysasfirëve të cilët ia dolën të barazojnë shifrat në minutën e 56-të përmes Keito Nakamura që realizoi për 1-1.
Në minutën e 86-të Nuno Mendes pati një rast ideal për t’i dhënë sërish epërsinë PSG-së, por edhe në këtë rast intervenoi portieri.
Pas këtij barazimi, PSG-ja shkon në kuotën e 47 pikëve dhe vazhdon si lider i tabelës, duke lënë mbrapa Marseille që ka 37 sosh në pozitën e dytë, por me një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/