PSG dhe Bayern Munich janë duke diskutuar rreth mundësisë së shkëmbimit të lojtarëve në afatin kalimtar të janarit.
Sipas mediumit francez L’Equipe, negociatat e Bayern Munichut me PSG-në për Nordi Mukielen, i kanë lejuar parisienët që të pyesin për shërbimet e Joshua Kimmich.
Bayern ka bërë një ofertë në formë huazimi për Mukielen me një opsion blerje që mendohet të jetë rreth 25 milionë euro.
Sidoqoftë, PSG do të preferonte që të mos e lejonte largimin e mbrojtësit francez pa e gjetur zëvendësimin ideal të tij.
Fakti që Achraf Hakimi është i angazhuar me kombëtaren e Marokut në Kupën e Kombeve të Afrikës e bën marrëveshjen edhe më të vështirë për momentin.
Drejtuesit e klubit francez e shohin mesfushorin gjerman si një mundësi ideale duke marrë parasysh se ai mund të luajë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, andaj ata do të mundohen që ta bëjnë Kimmich pjesë të marrëveshjes.
Ata besojnë se Kimmich do të ishte një përforcim i madh për mesfushën e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë përkohësisht do të mbulonte mungsën e Hakimit.
Kimmich nuk e ka bërë momentalisht të qartë dëshirën e tij për largim nga Bayerni, por më herët në një intervistë kishte thënë se dëshiron që të provojë një eksperiencë jashtë Gjermanisë, para se të var këpucët në gozhdë./Telegrafi/