Nga: Frida Ghitis / CNN
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Mund të prisni se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për raportimet se – pas udhëtimit të mundshëm në Rusi gjatë javës së ardhshme – presidenti kinez Si Xhinping [Xi Jinping] planifikon të flasë me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski [Volodymyr Zelenskyy]. Në fund të fundit, Xhinpingu – i cili po e drejton vendin në drejtimin që ShBA-ja e sheh si kërcënimin më të madh strategjik – po ndihet më i fortë se kurrë.
Në ditët e fundit, lideri më i fuqishëm kinez – që nga Mao Ce Duni – e siguroi mandatin e tretë të paprecedentë presidencial dhe, si një goditje ndaj ndikimit të ShBA-së në Lindjen e Mesme, ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje diplomatike midis rivalëve të armiqësuar – të Iranit dhe të Arabisë Saudite.
Tashti, me guximin që ka nga ai sukses, Xhinpingu mund të përpiqet që ta sjellë paqe në Ukrainë. Nëse mund ta gjejë një formulë që ndalon gjakderdhjen në Ukrainë, pa lejuar që agresioni rus të shpërblehet, ai do t’i meritojë lëvdatat. Zelenski, populli ukrainas, si dhe ShBA-ja dhe aleatët e saj do ta mirëprisnin rezultatin e tillë. Por, gjithë kjo është vetëm një nëse.
Duke e pasur parasysh potencialin – dhe rezultate tjera më pak të dukshme, por po ashtu të rëndësishme që mund të vijnë nga takimi – nuk është për t’u habitur se Uashingtoni duket paksa i kënaqur nga lajmet.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, e përshëndeti idenë duke thënë se ShBA-ja është përpjekur që ta bind Xhinpingun që të flasë me Zelenskin. Zelenski gjithashtu ka dashur të bisedojë me Xhinpingun, me një nga pak akterët kryesorë globalë me të cilin nuk ka pasur mundësi të bisedojë që nga fillimi i luftës.
Zelenski ka arsye të mira për t’ju besuar fuqive të veta për të bindur të tjerët, dhe ShBA-ja tashmë gjithashtu ka mësuar se Zelenski mund të jetë avokat shumë bindës për vendin e vet.
Edhe pse takimi – i cili do të jetë telefonatë, sipas Wall Street Journal-it – nuk është konfirmuar, do t’ia lejonte Xhinpingut që ta ngre statusin e vet si burrështetas dhe paqebërës global. Si Zelenski ashtu edhe administrata e [Joe] Bidenit shpresojnë, po ashtu, se biseda do t’ia japë Xhinpingut një perspektivë më ndryshe. Më e rëndësishmja, shpresojnë se kjo do të ndihmojë në parandalimin e Kinës që të përcaktohet për t’ia ofruar armët Rusisë.
Kina mohon se planifikon ta armatosë Moskën, por disa qeveri perëndimore kanë bërë me dije se Pekini këtë seriozisht po e mendon. Nëse ai lëviz për ta forcuar arsenalin e Rusisë, mund ta ndryshojë valën e luftës që ka qenë kryesisht katastrofike për Rusinë dhe mund të shkaktojë konflikt shumë më vdekjeprurës, më afatgjatë dhe gjeopolitikisht më të rrezikshëm.
Kina është përpjekur që ta bind botën se mund ta ofrojë një alternativë ndaj fuqisë amerikane. Përpjekja e vërtetë për ta ndërmjetësuar paqen në Ukrainë, qoftë kjo e pasuksesshme, mund të ndihmojë në promovimin e imazhit të qeverisjes së përgjegjshme.
Nga këndvështrimi i ShBA-së, përpjekja ka potencialin për ta filluar çlirimin e lidhjeve të miqësisë “pa kufi” mes Xhinpingut dhe [Vladimir] Putinit gjë që, siç thash më parë, duhet të jetë objektiv i politikës së jashtme të ShBA-së. Është paksa si xhujxhicu [art martcial japonez], me suksesin e Kinës në Lindjen e Mesme që potencialisht ndihmon synimet e ShBA-së diku tjetër, duke e inkurajuar Xhinpingut që ta provojë dorën e vet në Ukrainë – duke e hapur mundësinë që kjo mund të përcaktojë një distancë mes tij dhe Putinit.
E, megjithatë, një bisedë mes tij dhe Zelenskit – e cila do të vinte menjëherë pasi Xhinpingu ta vizitojë Putinin – mund të jetë e rrezikshme.
Xhinpingu dhe Putini – vëllezërit autokratë – kanë shumë të përbashkëta, që nga dëshira e tyre për t’i parë të dobësuara Shtetet e Bashkuara dhe aleancën perëndimore, deri te përbuzja e tyre për demokracinë dhe te praktikat e tyre autokratike në vend. Është e drejtë të thuhet se Xhinpingu preferon që lufta të përfundojë pa disfatën ruse.
Në telefonatë, Xhinpingu mund ta paralajmërojë Zelenskin se Putini mund të fillojë të marrë armatim kinez nëse Ukraina nuk bie dakord për lëshimet territoriale. Ai mund të jetë i gatshëm ta bëjë këtë edhe nëse dërgimi i armëve në Rusi mund të shkaktojë sanksione të dëmshme perëndimore kundër Kinës, në kohën që vendi po përpiqet të rikuperohet nga politika katastrofike e zero-Kovidit. Dhe, nëse Xhinpingu do ta bënte këtë, kjo do të ushtronte presion të madh mbi Zelenskin i cili me vendosmëri ka refuzuar që ta lejojë Rusinë që të mbajë ndonjë tokë ukrainase.
Por, është gjithashtu e mundur që Xhinpingu mund të ushtrojë presion mbi Putinin për ta pranuar një lloj tjetër të marrëveshjes, një marrëveshje që ia lejon atij që t’i nxjerrë trupat e veta nga makina e bluarjes së mishit ku ai i ka dërguar me çmimin prej dhjetëra mijëra jetësh ruse.
Nëse Rusia do të kishte fituar me shpejtësi, siç prisnin shumë, Kina ndoshta nuk do ta kishte problem që Rusia ta pushtojë Ukrainën, një vend properëndimor sovranitetin e të cilit Putini e refuzon, siç bën Kina me Tajvanin.
Megjithatë, nuk ka qenë kështu. Kështu që, disa javë më parë, Pekini publikoi një plan paqeje prej 12 pikash për t’ia dhënë fundin luftës në Ukrainë. Zelenski e përshëndeti interesin e ri të Kinës për Ukrainën, duke e quajtur atë si “jo të keq”. Plani kërkonte “respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve”, por ishte shumë i paqartë. Dukej se synonte më shumë të përvijonte se çfarë Kina kërkon nga bota sesa se çfarë kërkohet për ta ndaluar luftën.
Dokumenti i qëndrimit të Pekinit bëri gjithashtu thirrje për “braktisjen e mentalitetit të Luftës së Ftohtë” dhe zgjerimin e një blloku ushtarak – që do të thotë të NATO-s – si dhe ndalimin e sanksioneve ekonomike dhe “mbajtjen e qëndrueshme të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit”. Ishte shenjë e qartë e arsyeve se pse Kina dëshiron që kjo luftë të përfundojë.
Kinezët përvijojnë më tej thirrjet për ndërprerjen e armiqësive dhe fillimin e bisedimeve të paqes. Por, ndryshe nga plani i Zelenskit, nuk kërkon që Rusia t’i largojë trupat që aktualisht pushtojnë pjesët e mëdha të Ukrainës.
Armëpushimi në ato kushte do ta çimentonte kontrollin e Rusisë dhe do të ndalte momentumin që ndoshta tash e favorizon Ukrainën. Edhe në Bahmut, ku ukrainasit po luftojnë për ta mbajtur terrenin, Rusia ka shpenzuar muajt duke synuar marrjen e qytetit tashmë të shkatërruar. Mund ta marrë atë më në fund, por çmimi tregon se sa ashpër po luftojnë ukrainasit.
Thënë më thjesht, ekziston një formulë për t’ia dhënë fundin luftës në Ukrainë. Por, Putini është i vendosur që të mbajë pjesë të Ukrainës dhe Zelenski dhe njerëzit e tij e kundërshtojnë rezultatin e tillë.
Nëse Xhinpingu mund ta bind Putinin që t’i pranojë garancitë e sigurisë – ndoshta duke i bërë presion Ukrainës që të zotohet se nuk do të kërkojë të anëtarësohet në NATO – ai do ta fitonte reputacionin e paqebërësit. Elementët tjerë mund të ndikojnë gjithashtu në një marrëveshje, si referendumi legjitim i mbikëqyrur ndërkombëtarisht në rajonet e caktuara – pa trupat ruse në terren – se në cilin komb njerëzit duan të bashkohen.
Megjithatë, është i pamjaftueshëm optimizmi për marrëveshje paqeje. Të dyja palët janë larg njëra-tjetrës. Putini mendon se mund t’i rezistojë mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Deklarata e fundit për Ukrainën nga guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e mbështet këtë pikëpamje nëse ky kandidat i mundshëm presidencial fiton në vitin 2024 dhe nëse lufta ende nuk përfundon. Si DeSantisi ashtu edhe Trumpi duket se janë të prirë të rrinë prapa dhe ta lejojnë Putinin që të marrë pjesë të Ukrainës.
Rezultati më realist shpresëdhënës për bisedimet, nëse ato ndodhin me tamam, është se fuqitë bindëse të Zelenskit do të funksionojnë, duke e bindur Xhinpingun që t’i mbajë armët e veta larg nga duart e Rusisë dhe – në një skenar edhe më të mirë – se Xhinpingu mund ta bind Putinin se kjo luftë është e pafitueshme, në mënyrë që gjakderdhja nga të dyja palët të marrë fund. Megjithatë, këto shanse nuk janë aq bindëse. /Telegrafi/