Site icon Telegrafi

Pse s’u takua Kurti me Biden në SHBA? Flet Alon Ben-Meir

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Mostakimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nuk nënkupton se i pari i qeverisë kosovare është shpërfillur.

Kështu ka thënë për Portali D, eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, i cili ka theksuar se presidenti amerikan nuk takohet me asnjë burrështetas vetëm se ai e ka vizituar Amerikën.

“Vizita e Kurtit në SHBA nuk ishte zyrtare. Presidenti amerikan nuk takohet me asnjë kryetar shteti vetëm sepse ata kanë ardhur në SHBA për çfarëdo qëllimi. Kështu, mostakimi me presidentin Biden nuk sugjeron se ai thjesht u shpërfill”, ka thënë Ben Meir.

Siç theksoi eksperti amerikan, SHBA-ja nuk është tifoze e madhe e kryeministrit Kurti, duke shtuar se kjo mund të ishte edhe arsyeja e mospranisë së Kurtit në Samitin e shumëpërfolur, atë për Demokraci.

Lexo po ashtu Kurti udhëton në Britani të Madhe - takohet me sekretaren e jashtme britanike, Liz Truss

Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila kishte paraqitur tri zotimet kryesore në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.

Prezenca e presidentes Osmani, në këtë samit, i cili ishte organizuar nga presidenti Biden, sipas Alon Ben Meir, ishte një goditje ndaj Kurtit.

“Siç u raportua nga mediat, se SHBA-ja nuk është një entuziaste e madhe e Kurtit dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja pse ai nuk u ftua në Samitin për Demokraci në dhjetor 2021, ku ishin të pranishëm 100 vende. Më pas presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ishte i ftuar në Samit, që në një farë mënyre ishte një shuplakë për Kurtin”, ka thënë ai.

Ben-Meir: Kurti deri diku ia doli ta arrijë qëllimin e tij gjatë vizitës në SHBA

Teksa, ka vlerësuar vizitën e Kurtit në SHBA, ku qëndroi rreth tre javë, eksperti amerikan për Portali D, ka thënë se ndonëse i pari i ekzekutivit ka deklaruar se vizita e tij ishte e fokusuar në investime dhe siguri, atëherë sipas tij, Kurti deri diku e ka arritur qëllimin e tij gjatë kësaj vizite.

“Vetë Kurti deklaroi se ‘Vizita ime në SHBA ishte e fokusuar në investime dhe siguri’. Nëse ky ishte me të vërtetë qëllimi i vizitës së tij, mund të thuhet se ai ia doli deri diku. Takimi me senatorë dhe biznesmenë është sigurisht i rëndësishëm për të promovuar interesin e Kosovës”, shtoi ai.

Fotografi ilustruese: Kryeministri Albin Kurti duke shkuar në zyrë gjatë madantit të parë, (e diel, 23 shkurt 2020)

A ishte apo jo Kurti në Shtëpinë e Bardhë?

Krahas vizitës e takimeve të ndryshme, nuk munguan as polemikat e diskutimet e shumta.

Opozita e ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurti se në SHBA nuk pati vizita të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë.

Në ndërkohë, vetë kryeministri Kurti, pas kthimit në Kosovë, ka thënë se në kuadër të vizitës së tij në SHBA, është pritur në Washington nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, i cili ka shprehur mbështetjen e SHBA-së mbi dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Për Alon Ben Meir, ky takim u konsiderua i rëndësishëm meqë siç thotë ai, Sullivan cilësohet si një individ i nivelit të lartë, derisa pohon se takimi është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai u prit më 18 maj nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan në Shtëpinë e Bardhë, i cili konsiderohet një individ shumë i lartë”, ka thënë Ben Meir.

Megjithëkëtë, eksperti amerikan ka thënë se si rregull, dyshon nëse Kurti “nuk është konsultuar me këshilltarët për kohën e vizitës së tij dhe nëse i kishte siguruar apo jo takimet me zyrtarë amerikanë dhe liderë biznesi para se të niste vizitën”.

Ndërkaq,edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u kishte dhënë fund spekulimeve nëse kryeministri Kurti gjatë vizitës, ishte ose jo në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ishte shprehur i zhgënjyer me raportimet “e pasakta”, në lidhje me vendodhjen e takimit mes shefit të qeverisë dhe këshilltarit Sullivan.

Hovenier kishte theksuar se objekti ku ndodhi takimi është pjesë e Shtëpisë së Bardhë dhe se aty mbahen takime të nivelit të lartë.

“Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë presidentin, zëvendëspresidentin dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, mbahen rregullisht atje”, kishte shkruar Hovenier në Twitter.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier

Se takimet e nivelit të lartë ishin mbajtur edhe në të kaluarën, Hovenier ka përmendur edhe takimin midis ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Joe Biden në vitin 2010, që në atë kohë ishte zëvendëspresident.

Ndërkaq, ende pa u kthyer në Kosovë, Kurti morri pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Atje, u takua me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë.

Po ashtu, ishte pjesë e panelit “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.

Exit mobile version