A jeni zgjuar ndonjëherë nga një ëndërr që ju dukej aq reale sa nuk mund të shkëputeni prej saj? Nuk jeni vetëm
“Ëndrrat e gjalla” mund të jenë si magjepsëse ashtu edhe të frikshme apo shqetësuese, dhe mund të jenë mënyra e trurit tuaj për t’ju dërguar mesazhe të rëndësishme.
Por cilat janë disa nga shkaqet prapa këtyre ëndrrave dhe çfarë mund të nënkuptojnë për ju?
Ëndrrat janë një pjesë misterioze dhe thelbësore e ciklit tonë të gjumit. Ndërsa motivi i saktë i ëndrrave është ende një temë studimi, shumë shkencëtarë besojnë se ëndrrat luajnë një rol të rëndësishëm në përpunimin dhe ruajtjen e kujtimeve të rëndësishme.
“Ëndrrat e gjalla”, në veçanti, mund të ndikohen nga faktorë të ndryshëm:
Stresi dhe ankthi
Streset e përditshme dhe ndryshimet e mëdha në jetë, si zhvendosja, martesa, ose një punë e re, mund të çojnë në shfaqjen e “ëndrrave të gjalla”. Trauma dhe ankthi veçanërisht mund të shkaktojnë ëndrra të frikshme, në dukje të vërteta dhe ndonjëherë shqetësuese.
Çrregullimet e gjumit
Gjendjet si pagjumësia prishin ciklet normale të gjumit dhe shpesh çojnë në ëndrra të gjalla.
Ilaçet
Disa ilaçe, përfshirë antidepresantët, janë të njohur si kontribuues në përjetimin e ëndrrave reale.
Përdorimi i substancave
Alkooli dhe substancat gjithashtu mund të kenë ndikim në shfaqjen e këtij fenomeni, gjithashtu edhe në përjetimin e maktheve.
Çrregullimet e shëndetit mendor
Gjendje si depresioni apo skizofrenia mund të rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e ëndrrave.
A janë të dëmshme këto ëndrra?
Ndërsa “ëndrrat e gjalla” zakonisht janë të padëmshme, ato ndonjëherë mund të kenë ndikime negative në mirëqenien tuaj, sidomos nëse janë shqetësuese ose të vazhdueshme. Disa efekte anësore të mundshme përfshijnë:
Lodhje ditore
Mund të ndërpresin gjumin tuaj, duke çuar në lodhje gjatë ditës dhe probleme me përqendrimin dhe kujtesën.
Probleme të humorit
Ëndrrat që ju ndikojnë emocionalisht mund të kontribuojnë në simptoma të depresionit dhe ankthit.
Shmangia e gjumit
Frika nga të parit në ëndërr tjetër aq reale apo shqetësuese mund të çojë në shmangien e gjumit, duke përkeqësuar ciklin e gjumë-zgjim, citon Anabel.
Mendime negative
Në raste ekstreme, ëndrrat shqetësuese mund të çojnë në mendime negative. Nëse përjetoni mendime të tilla, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë menjëherë.
Si t’i përballoni?
Nëse “ëndrrat e gjalla” po ndikojnë në jetën tuaj, këtu janë disa strategji për t’i menaxhuar ato:
1. Vendosni një orar të rregullt gjumi.
2. Teknikat si meditimi dhe ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në menaxhimin e stresit dhe ankthit.
3. Zvogëloni konsumin e kafeinës dhe alkoolit, veçanërisht para se të flini.
4. Kuptoni se ëndrrat janë një proces i natyrshëm, ndaj mos i lejoni të ndikojnë negativisht në jetën tuaj.
/Telegrafi/