Site icon Telegrafi

Pse Osimhen duhet të nënshkruajë kontratë të re me Napolin përpara se të kalojë te Galatasaray

Victor Osimhen do të duhet të nënshkruajë një kontratë të re me Napolin përpara se të kalojë në huazim te Galatasaray. 

Të gjithë duket se janë dakord dhe marrëveshja pritet të mbyllet, me sulmuesin nigerian që do t’i bashkohet Galatasarayt në një huazim – pa mundësi blerjeje, për sa kohë sa turqit mbulojnë pagën e tij prej afro 11 milionë euro në sezon. 

Duke marrë parasysh se alternativa ishte që ai të ulej në tribuna derisa të rihapet afati kalimtar në janar, kjo ishte e vetmja mundësi reale që të gjithë ta pranonin. 

Megjithatë, Napoli kërkon disa garanci, pasi kontrata e Osimhen që nënshkroi në dhjetor 2023 është vetëm deri në qershor 2026, pasi të gjitha palët kishin synuar që ai të shitej këtë verë. 

Kur bisedimet me Al-Ahli dhe Chelsea u prishën në ditën fundit të afatit kalimtar, palët mbetën të frustruar dhe të zemëruar. 

Lexo po ashtu Osimhen në bisedime për transferimin befasues pasi u përjashtua nga ekipi i Napolit

Nëse ai do të huazohej tani, do të kthehej në qershor 2025, do të kishte vetëm një vit në kontratë të mbetur, duke i dhënë Napolit një pozicion shumë të dobët negociues për një shitje. 

Pra, përpara se Osimhen të lejohet të fluturojë për teste mjekësore, të cilat mund të zhvillohen që në mbrëmjen e sotme, atëherë ai duhet së pari të nënshkruajë një zgjatje me Napolin deri në qershor 2027 në të njëjtat kushte. 

Ka gjithashtu një nxitim për ta realizuar këtë marrëveshje, pasi afati i transferimeve në Turqi është i hapur deri më 13 shtator, por Galatasaray duhet të dorëzojë listën e skuadrës së tyre në UEFA nesër (e martë) për Ligën e Evropës. /Telegrafi/  

Exit mobile version