Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka qenë i ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” të Telegrafit.
Në vazhdën e shumë temave të cilat u diskutuan me Shalën, ndër të tjerash ai u pyet edhe për mungesën e ftesave nga ana e Kosovës për lojtarë nga Shqipëria.
Për këtë çështje, Shala tha se është i mendimit se lojtarët duhet të luajnë aty ku ka lindur, pra, duke nënkuptuar se ata që janë nga Shqipëria duhet të luajnë vetëm për Shqipërinë.
“Sepse lojtarët e Shqipërisë duhet të luajnë për Shqipërinë”, ishte shkurtimisht përgjigja e Shalës kur u pyet pse Kosova nuk fton lojtarë nga Shqipëria.
Tutje ai u pyet veçanërisht për ndonjë kontakt të mundshëm me Nazmi Gripshin i cili shkëlqeu me fanellën e Ballkanit në Superligën e Kosovës the tani të njëjtën po e bën edhe tek Astana në Kazakistan.
“Jo, hiç s’po të lo me përfundu pyetjen, sepse është lojtar i Shqipërisë. Lojtarët e Shqipërisë duhet të luajnë për Shqipërinë, lojtarët e Kosovës duhet të luajnë për Kosovën, të paktën unë besoj fuqishëm në këtë”, tha Shala.
Nëse dëshironi që ta ndiqni podcastin e plotë me mysafirin e ftuar, më poshtë gjeni linkun e YouTube.
Këtë podcast mund ta ndiqni edhe në TV Dukagjini çdo të shtunë nga ora 18:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve Patos dhe DentFix. /Telegrafi/