Meqenëse çmimi i një ton kakao të papërpunuar në bursën e mallrave në Londër u ngjit kohët e fundit në një nivel rekord prej pak më pak se 5,500 euro (5,960 dollarë), ata që pëlqejnë çokollatën kanë arsye për t’u alarmuar.
Kjo pasi që ky çmim, vetëm një vit më parë ishte 2,500 euro dhe muajin e kaluar ishte 4,000 euro, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Një kilogram kakao është pothuajse 3 euro më e shtrenjtë se një vit më parë”, tha një zëdhënës i prodhuesit gjerman të çokollatës Ritter Sport.
“Çdokush mund të kuptojë vetë se çfarë do të thotë kjo për kostot e prodhimit të një çokollate prej 100 gramësh, e cila përmban midis 35% dhe 70% kakao, por ne aktualisht po e vlerësojmë situatën në tërësi”, ka thënë më tej ai.
“Rritja e çmimeve dhe pagave të lëndëve të para mund të çojë në rritje të kostove, të cilat mund të kalojnë te konsumatori”, mendon Solveig Schneider, zëvendës drejtor menaxhues i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane të ëmbëlsirave (BDSI).
Dhe në Shtetet e Bashkuara, Hershey, një nga prodhuesit më të mëdhenj të ëmbëlsirave në botë, nuk përjashtoi një rritje të çmimit.
“Duke pasur parasysh se ku janë çmimet e kakaos, ne do të përdorim çdo mjet, duke përfshirë çmimin, si një mënyrë për të menaxhuar biznesin”, citohet të ketë thënë shefi ekzekutiv Michele Buck gjatë një prezantimi në mes të shkurtit të rezultateve të gjigantit të çokollatës.
Komentet e fundit nga konkurrenti i saj, gjiganti zviceran i ushqimit Nestlé, ishin të ngjashme.
Siç vënë në pah mediat, përcjell Telegrafi, arsyeja kryesore pse çmimi i kakaos është rritur kaq ndjeshëm kohët e fundit është se oferta në vendet ku ajo rritet po bëhet gjithnjë e më e pakët.
Bregu i Fildishtë dhe Gana përbëjnë 60% të prodhimit global të kakaos ndërsa ndryshimet klimatike kanë një ndikim të konsiderueshëm në kultivim.
Kështu, ngjarjet më të shpeshta ekstreme të motit, të tilla si periudha të gjata thatësire, reshje të dendura shiu dhe përmbytje kanë dëmtuar cilësinë e kakaos, kanë reduktuar rendimentet ose kanë shkatërruar plotësisht të korrat, ka thënë organizata mjedisore WWF.
Periudhat e gjata të shiut çojnë gjithashtu në përhapjen e sëmundjeve të bimëve si CSSVD. Virusi, i cili përhapet nga afidet, çon në vdekjen e pemëve të kakaos.
Kështu, sipas Kerstin Weber, shkencëtar mjedisor në WWF, 17% e të gjitha zonave nën kultivim në Ganë janë tashmë të prekura dhe CSSVD po përhapet gjithashtu në Bregun e Fildishtë.
Duke qenë se pemët e kakaos nuk janë rezistente, i vetmi trajtim efektiv është prerja e pemëve të infektuara dhe mbjellja e të rejave, thotë Weber.
Virusi mund të përhapet kaq shpejt sepse kakao zakonisht mbillet në monokultura.
Një faktor tjetër që ndikon në prodhimin e çokollatës është rritja e mprehtë e çmimit të sheqerit, për të cilin grupi tregtar gjerman BDSI thotë se ishte rritur me 72% në Bashkimin Evropian në vitin 2023.
Ndërkohë, për arsye konkurruese, shitësit me pakicë hezitojnë të flasin për çmimet.
Megjithatë, në gjithë këtë histori, ka diçka pozitive, pasi kërkesa gobale është dukshëm më e madhe se oferta, thotë një zëdhënës i zinxhirit gjerman të dyqaneve ushqimore Rewe.
Ndryshe, në Gjermani konsumi vjetor i çokollatës për frymë ka qenë i qëndrueshëm në 9.3 kilogramë në vitin 2023, sipas BDSI.
Andaj, rritjet e reja të çmimeve nuk po i pengojnë shumë njerëz.
Në një studim të fundit të Yougov, 51% deklaruan se konsumi i tyre i çokollatës do të mbetet i pandryshuar, ndërsa 37% do të hanin më pak.
“Prodhuesit dhe shitësit me pakicë e dinë se konsumatorët i kushtojnë më pak vëmendje çmimit të produkteve luksoze si çokollata. Kjo është arsyeja pse ata janë veçanërisht të prirur për të rritur çmimet”, mendon eksperti i ushqimit Armin Valet.
Në të kaluarën, çokollata është bërë rregullisht më e shtrenjtë edhe pa rritje të çmimeve të lëndëve të para, tha ai duke theksuar se çmimi është trefishuar në 20 vitet e fundit. /Telegrafi/