Presidenti kilian me origjinë kroate, Gabriel Boriq (36) u sulmua me gurë gjatë vizitës së parë zyrtare jashtë kryeqytetit, Santiagos.
Boriq, i cili mori detyrën në muajin mars, ishte në qytetin La Serena, 400 kilometra në veri të Santiagos. Para se të hynte në godinën e komunës, ai iu afrua një gardhi për të përshëndetur disa njerëz që po e prisnin.
Ndërkohë, nga turma u hodh një gur, i cili goditi në shpinë shefin e kabinetit të Boriqit, Matias Meza-Lopehandia. Ai raportohet se ka pësuar lëndime të lehta, njoftoi policia kiliane.
Autoritetet policore menjëherë e kanë arrestuar sulmuesin 31-vjeçar pas incidentit dhe tani po hetojnë motivet e sulmit.
“Nëse dikush mendon se mund të më trembë ose të ndryshojë mënyrën se si ne duam të drejtojmë vendin, ai e ka gabim”, tha Boriq në një konferencë shtypi pas incidentit.
“Do të vazhdojmë të flasim me njerëzit që janë dakord me ne, por edhe me ata që nuk pajtohen, sepse ky është roli i qeverisë – të dëgjojë dhe të shikojë në sy çdo qytetar”, shtoi ai.
Ndryshe, shteti kilian me një popullsi prej rreth 19 milionë banorësh është shtëpia e rreth 200 mijë kroatëve dhe pasardhësve të tyre, sipas qeverisë së Kroacisë.
Gjatë 30 ditëve të para në detyrë, Boriq, presidenti më i ri në historinë e Kilit, po përballet me rritjen e çmimeve të karburantit dhe transportit publik, e cila gjë ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët. /Telegrafi/