Site icon Telegrafi

Protesta e shqiptarëve në Bujanoc, policia serbe u bën presion qytetarëve

Përfaqësues politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës po shprehin shqetësime për veprimet e autoriteteve të Serbisë lidhur me protestën që do të mbahet të hënën në Bujanoc. Ata, arrestimet e shqiptarëve ditëve të fundit, i shohin si presion ndaj tyre për të mos marrë pjesë në protestën e organizuar kundër diskriminimit sistematik nga autoritetet serbe.

Në qytetin e Bujanocit si rrallë herë do të ketë një protestë të shqiptarëve të hënën, me moton “Për Identitet e Dinjitet”.

Megjithatë, duket se ky organizim nuk po u pëlqen organeve shtetërore të Serbisë, të cilat, sipas deputetit shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, kanë filluar një valë të re presioni dhe intimidimi.

Këtë e konfirmon edhe Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, që thotë se policia serbe po kryen edhe arrestime.

Kamberi: Serbia shton presionin ndaj shqiptarëve para protestës të së hënës në Bujanoc
Lexo po ashtu Kamberi: Serbia shton presionin ndaj shqiptarëve para protestës të së hënës në Bujanoc

“Ditëve të fundit aktivitetet e policisë janë shtuar, duke bërë presione të ndryshme, ndaj qytetarëve shqiptarë duke filluar, me arrestimin e disave për shkak të komenteve në Facebook, pastaj marrja në pyetje, siç thonë ata biseda informative”, ka thënë Mustafi për RTV Dukagjini.

Mustafi thotë se kjo protestë është e domosdoshme.

“Tregon revoltën e madhe, për të cilën shqiptarët e Luginës së Preshevës për një kohë të gjatë janë duke, u ballafaquar me diskriminimin sistematik e strukturor të shtetit të Republikës së Serbisë”, është shprehur Mustafi.

Kurse nga afër këto zhvillime po i ndjek edhe gazetari në Preshevë, Hasan Hasani, që thotë se në protestë nuk pret eskalim të situatës nga shqiptarët.

“Unë kam frikën që mund të ketë ndonjë skenar që të ketë provokime ndaj protestuesve. Megjithatë qytetari në Luginë është i mësuar, që t’i shmanget çfarëdo tendence nga organet shtetërore për të eskaluar protestën”, ka thënë Hasani.

Nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili është edhe organizator të protestës, thanë se e kanë të pamundur të flasin për shkak të angazhimeve. /Dukagjini/

Exit mobile version