Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se ditën e nesërme do të vlerësojnë së bashku me MASh-in dhe do të marrim një vendim përfundimtar, që të ketë një shkuarje të parakohshme në pushim në të gjitha nivelet arsimore.
“Në javën e fundit ka pas rritje të rasteve, ne edhe dje se bashku më Institutin edhe Kryeministrinë dhe sot. Ministria e Arsimit është angazhuar dhe kanë sjell rekomandimet e tyre. Ne nesër do të marrim një vendim përfundimtar sipas IKSHPK-së, që të kemi një shkuarje të parakohshme të pushimit në të gjitha nivelet arsimore”, ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se interesimi i tyre është që të shkojnë pesë ditë përpara.
“Gjatë kësaj jave do të bëjmë vlerësimin e Ministrisë së Arsimit dhe javën tjetër do të shohim a do të vazhdojmë më mësim online apo të ndërpresim mësimin për dy javë për ta ulur pozitivitetin e rasteve te nxënësit por edhe të arsimtarët”, ka thënë Zemaj.
Kurse zëvendësministri në detyrë i arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se si ministri kanë propozuar që në këtë javë të parë fëmijët të mos shkojnë në mësim online.
“Ne si ministri kemi propozuar që të shkojmë me një version që fëmijët këtë javë të parë të mos shkojnë në mësim online. Kemi propozuar 1+1, një javë pushim pastaj rishikim. Fëmijët në edukimin parashkollor të mos ndalen, kurse në universitet kemi propozuar një rishtrëngim të masave”, tha Rexhaj.
Edhe MASh përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se duke qenë se në arsim janë të përfshirë një numër shumë i madh i akterëve dhe për shkak të numrit të përgjithshëm në rritje të të infektuarve me COVID në vend, por edhe në mesin e mësimdhënësve, nxënësve dhe stafit tjetër në shkolla, MASh dhe palët e involuara janë dakorduar t’i propozojnë ministrit të Shëndetësisë dhe Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19.
“Nga data 22 mars 2021, të ketë pushim një javor në arsimin parauniversitar dhe në fund të kësaj jave të vlerësohet gjendja epidemiologjike dhe të vendoset për format më të mira të zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim. Institucionet parafillore të mos e ndërprejnë aktivitetin edukativo – arsimor. Institucionet e arsimit të lartë të mbajnë fizikisht vetëm punën praktike dhe laboratorike, ndërsa ligjëratat në lëndët teorike të mbahen online. Këto propozime do t’i dërgohen edhe me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë nga ana e MASh, në mënyrë që të merret vendim nga Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MASh.
Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.
“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, thuhet në njoftim./Telegrafi/