Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, pas përfundimit të hetimeve për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit.
Gjatë hetimit, ka rezultuar se nëpërmjet dokumentave të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundraligjshme, është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66,000 metra katror tokë në disa zona bregdetare në Lezhë me një vlerë prej rreth 13 milionë euro.
Në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kudraligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur me ta, duke ia kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre.
Me vendimin nr.345 datë 28.07.2022, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e këtyre pronave.
Bashkë me ish-kryebashkiakun demokrat, janë dërguar për gjykim edhe nëntë ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë. /Telegrafi/