Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinumërohen të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Ky vendim i Prokurorisë vjen pasi kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka akuzuar se ka pasur keqpërdorimin e votave në disa qendra.
Sipas vendimit të Prokurorisë, e që është siguruar nga Telegrafi, thuhet se ekziston dyshimi se ka pasur manipulim të vota për ta ndihmuar kandidatin tjetër të LDK-së, Xhafer Tahiri.
Mes tjerash, Krasniqi ka deklaruar se edhe komisionerët kanë qenë familjarët të Xhafer Tahirit.
“Të bëhet rinumërimi i votave që kanë rezultuar nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë dhe atë rinumërimit për kandidatët të Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të organizuar më 9 shkurt”, thuhet në vendimin e prokurorisë.
Vendimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e ka mirëpritur kandidatja për deputete, Rrezarta Krasniqi.
Në një deklaratë për Telegrafin, ajo tha se procesi i numërimit ka qenë i dyshimtë.
“Procesi i numërimit në qendra komunale ka qenë i dyshimtë dhe me parregullsi. Prandaj, prokuroria ka vendosur që të hetohen kutitë dhe të rinumërohen votat e kandidatëve”, u shpreh ajo.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt./Telegrafi/