Site icon Telegrafi

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër një qytetari serb, dyshohet se mori pjesë në Masakrën e Dubravës

Prokuroria Speciale ka njoftuar të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.M. i nacionalitet serb, nën dyshimin se ka marrë pjesë në Masakrën e Dubravës.

Sipas njoftimit, i pandehuri G.M – shtetas i Kosovës dhe Serbisë, me adresë të vendbanimit në Serbi, dyshohet se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“I pandehuri akuzohet se me 22 maj 1999, ka marr pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë (109) të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë (108) të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘Masakra e Dubravës.

Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në komunikatën për media.

Kjo çështje penale bëhet e ditur se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.   Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të paarritshëm për organet e rendit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version