Një ish-zyrtar policor serb në Policinë e Kosovës me inicialet S.T, është arrestuar të enjten pasdite në shtëpinë e tij në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se i njëjti dyshohet për veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile’, ndaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’i caktohet masa e paraburgimit.
Sipas njoftimit, veprimet e të pandehurit S.T. janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.
“Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë”, thuhet në komunikatën për media.
Në këtë rast, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civilë dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës së luftës.
“Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit”. /Telegrafi/